Votimi elektronik, Bumçi: Gati për zgjedhjet lokale
Partia Demokratike i propozon Partisë socialiste të hartojë propozimet ligjore për mendimin e Kodit Zgjedhor për zbatimin e një sistemi elektronik në votime. Deputeti i PD-së Aldo Bumçi tha dhe PS mund të bëjë propozimet e saj për ndryshimin e Kodit elektoral të cilat mund të miratohen me konsensus. "Marrja dhe adoptimi i një sistemi të ri eviton të gjithë problematikën që ne kishim me numërimin e votave. Ky duhet të jetë debati që duhet të mbizotëroje dhe ne presim që PS të bëjë propozimet e saj ose të shqyrtojë më tej këto propozime të bëra nga shumica. Gjithçka bëhet me konsensus përsa i takon kodit zgjedhor" tha Bumçi. Sipas tij, nëse opozita nuk përgjigjet atëherë do të përdoret i njëjti Kod Elektoral. "Kodi ishte i përshtatshëm sepse ne kryem një palë zgjedhje dhe ishin zgjedhjet më të mira të kryera në Shqipëri. Aty ku u hasën probleme ishin probleme me politizimin e procesit të numërimit" shtoi Bumçi.