E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: E tepërt ndërhyrja ime, dialog në Kuvend



Presidenti Bamir Topi e sheh si të tepërt një ndërhyrje të dytë për zgjidhjen e ngërçit politik. Në një intervistë për "DW", Topi e konsideron si të mjaftueshme tryezën në Presidencë. Sipas tij, partitë duhet të dialogojnë në Kuvend për të gjetur gjuhën e përbashkët. Në këtë intervistë, Topi shprehet se shpejt do të zbatohet Kushtetuta për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Zoti president, ju erdhët për herë të parë në Gjermani dhe takuat për herë të parë edhe presidentin gjerman. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Padyshim, që ishte një pritje shumë e ngrohtë nga ana e Presidentit Koehler, është shprehje e asaj marrëdhënieje të shkëlqyer që ekziston prej vitesh ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Unë pata një ftesë zyrtare, e cila tregon se niveli i dialogut politik është në nivel më të lartë, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë tashmë konsiderohen marrëdhënie tradicionale, gjë që u demonstrua jo vetëm në frymën e bisedimeve, por edhe në pranimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të shpejtë dhe për t'iu përgjigjur me një nivel sa më të plotë marrëdhënieve, por edhe dëshirës personale, për të parë Shqipërinë nga afër, arritjet e saj, natyrën por edhe të gjitha vlerat historike, arkeologjike, kulturore e tradicionale që ka Shqipëria.
Qeveria aktuale gjermane është paksa e rezervuar ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Cili është gjykimi që i bën Presidenti Koehler kandidaturës së Shqipërisë?
Unë besoj, që pavarësisht nga klima që ekziston në BE, një lloj rezervimi për sa i përket zgjerimit, për shkak edhe të problemeve që janë krijuar edhe në disa vende të Bashkimit Evropian, kjo nuk e zbeh suportin që Gjermania i ka dhënë dhe do t'i japë Shqipërisë në rrugën e integrimit. çështja e integrimit natyrisht që ka disa faza: Sot Shqipëria është vend i NATO-s, që tregon se ka përmbushur një pjesë të rëndësishme të aspiratës së integrimit në familjen euro-atlantike, kemi një stad tjetër, që ne kërkojmë ta arrijmë sa më shpejt dhe besoj se kjo do të arrihet brenda këtij viti, që është liberalizimi i lëvizjes së njerëzve dhe patjetër që procesi i anëtarësimit të Bashkimit Evropian, ndonëse ka rezerva për momentin, besoj që është një tendencë natyrale e pandalshme e Shqipërisë për t'u futur në Bashkimin Evropian, por edhe të vendeve të Bashkimit Evropian për të absorbuar Shqipërinë në gjirin e familjes evropiane.
Cili është roli që luan kriza aktuale e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së?
Natyrisht, është kusht i domosdoshëm për integrimin që një vend të ketë stabilitet politik, përgjithësisht, institucionet e Shqipërisë janë të qëndrueshme, por klima politike dhe parlamentare, domosdoshmërish kërkon një rritje të koshiencës së të gjitha partive politike që kompozojnë Parlamentin, që të jenë më bashkëpunuese, të marrin pjesë më aktivisht në realizimin e reformave, dhe përtej rëndësisë jetike që ka bashkëpunimi në çështjet e brendshme të Shqipërisë, ka rëndësi edhe në imazhin e Shqipërisë në Evropë. Besoj që është e rëndësishme, dhe partitë politike do të dinë ta kuptojnë rëndësinë e forcimit të imazhit.
A do të angazhoheni ju edhe njëherë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Unë mendoj që tryeza e Presidentit pati një rezultat konkret. Opozita tashmë realisht ka trokitur në Parlament, është bërë pjesë e Parlamentit, ndoshta jo me kapacitet të plotë, por është një çështje që sot ndodhet realisht në Parlament. Partitë politike tani janë afër, pavarësisht që marrin pjesë fort në debatin politik që është diçka e rëndësishme për demokracinë, duhet të dinë të bashkëpunojnë edhe për reformat e mëdha. Sa kohë që janë në Parlament, unë e shikoj të tepërt një lloj interference për t'i thënë: ejani bisedoni. Atë natyrisht ato janë duke biseduar, po debatojnë dhe janë në Parlament dhe besoj që atje duhet të gjejnë zgjidhje midis tyre.
Megjithatë opozita ka paralajmëruar protesta masive, kjo nuk flet për zgjidhjen e krizës.
Po besoj, është në të drejtën e opozitës që të protestojë kur mendon që duhet të protestojë, është një nga opsionet e betejës demokratike, çdo parti ka të drejtë të përpunojë dhe të realizojë taktikat dhe opsionet e veta politike. Mendoj që përtej protestave partitë politike, do të kenë koshiencën që edhe të kenë rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre. Nuk mund të bëj koment për protestat, sepse duke pasur një eksperiencë të gjatë politike - edhe unë kam protestuar kur kam qenë pjesë e një formacioni politik - kështu që askush nuk mund të kontestojë të drejtën për të protestuar, por jam i bindur, që edhe protestat do të realizohen brenda kuadrit ligjor, që vetë politika i ka aprovuar, i ka përpunuar, dhe duhet t'i pranojë si të tilla.
Një problem tjetër që nuk po zgjidhet është ai i Gjykatës Kushtetuese. Si mendoni ju se mund të dilet nga kjo çështje?
Jo, unë besoj që jemi absolutisht në kohë për Gjykatën Kushtetuese. Shumë shpejt do të zbatohet linja kushtetuese e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Kushtetutës do të miratohen në Parlament.
Cilat janë kushtet që keni vënë ju?
Janë vetëm kushte, të cilat unë jam i detyruar t'i zbatoj sikurse përcaktohen në Kushtetutë: Që njerëzit që zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese, e në çdo gjykatë, duhet patjetër që të jenë në parametrat më të lartë të moralit dhe të profesionalizmit. Pastaj gjithçka është pjesë e një procedure, e cila përshkruhet me shumë hollësi në Kushtetutë dhe në Ligj.
“Deutsche Welle”

Këler, mbështetje për integrimin e Shqipërisë

Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani nga ku mori mbështetje për proceset integruese të Shqipërisë në BE. Në takimin me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Horst Këler, Topi mori garancinë se mbështetja gjermane do të vijojë për Shqipërinë. "Kreu i shtetit gjerman vuri në dukje mbështetjen që vendi i tij ka dhënë për Shqipërinë duke e siguruar Presidentin Topi se kjo do të vazhdojë në mënyrë që populli shqiptar të bëhet pjesë edhe zyrtarisht sa më shpejt e familjes së madhe evropiane", thuhet në njoftimin zyrtar. Gjatë takimit, Presidenti Topi theksoi faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. "Presidenti Topi bëri një pasqyrë të shkurtër mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe të zhvillimeve të brendshme, ku nënvizoi veçanërisht rëndësinë e riinstalimit të dialogut politik në vend mes maxhorancës dhe opozitës dhe e bashkëpunimit për reformat e rëndësishme, për të ruajtur vazhdimësinë e rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e aspiratave integruese të mbarë popullit shqiptar", thuhet në njoftimin zyrtar.

Emërimet
Presidenti i Republikës pritet të dekretojë emrat e 6 gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 në Gjykatën e Lartë. Aktualisht 2 prej gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë u ka mbaruar mandati, si dhe 1 prej gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Emrat e dekretuar do të shkojnë në Parlament për marrjen e pëlqimit. Referuar Kushtetutës kërkohet një shumicë e cilësuar (71 vota) për emërimin e gjyqtarëve të rinj.

Topi: Vizitoni Shqipërinë
Presidenti i Republikës u kërkoi investitorëve në Forumin ekonomik të biznesit shqiptaro-gjerman, të mbajtur në Berlin, të vizitojnë Shqipërinë. "Shpesh herë dëgjohet që në Shqipëri ka acarim politik por unë u them që nuk dallohet nga vendet e tjera. Aty ku ka demokraci ka debat për efekt të zhvillimit. Vizitojeni Shqipërinë dhe do të shihni një realitet me një klimë pozitive për investime", tha Topi para biznesit gjerman.

Fusha e investimeve
Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Topi tha se investitorët gjermanë mund të gjejnë shumë fusha ku mund të investojnë në Shqipëri si në atë tregtare e të turizmit, por dhe në ato të telekomunikacionit, infrastrukturës, energjisë, aviacionit civil e ushtarak, etj. Topi theksoi se do të "përkrahë çdo nismë, çdo interes të shfaqur, çdo qëllim të ndershëm, çdo marrëveshje dhe çdo dëshirë që do të lindë nga ky forum i rëndësishëm".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›