E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtohen nga ndihma ekonomike 500 familje



Zbulohen për tre muajt e parë të vitit 500 familje që përfitojnë ndihmë ekonomike në mënyrë abuzive. Gjithçka e bën me dije Shërbimi Social Shtetëror. Kjo shifër doli pas verifikimeve që u kryen në terren. Këto familje janë përjashtuar menjëherë nga skema. “Këto familje, që kanë përfituar abuzivisht, do të hiqen menjëherë nga skema e Ndihmës Ekonomike dhe pagesa e paaftësisë. Nga inspektimet e kryera është lënë për detyrë që të kontrollohen me përpikëri dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të gjitha familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe pagesës së paaftësisë, të plotësohen mangësitë e vërejtura në dokumentacionin për tokën nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kadastra e Qarkut”, sqarojnë specialistët e SHSSH-së. Për të shmangur abuzimet me pagesat e ndihmës ekonomike, Ministria e Punës ka vendosur të dixhitalizojë skemën e ndihmës ekonomike. Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike janë 98 mijë familjeve që ndodhen nën nivelin e varfërisë, të cilat do të mbulohen nga një fond me vlerë 5.2 miliardë lekë, ose 24 për qind më shumë se Fondi i Akorduar në Vitin 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›