E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesit, testim për 20% shtesë page



zirina llambro

Më 24 prill, rreth 2500 mësues do t’i nënshtrohen testit për të përfituar shtesën në pagë. Kjo shtesë në varësi të kategorisë për të cilën ata aplikojnë shkon deri në 20%. Ndryshe nga më parë, këtë vit rregullat do të jenë më të forta. Arsimtarët nuk do ta japin më provimin në rrethet ku punojnë, por i gjithë procesi do të përqendrohet në Tiranë. Gjithçka e konfirmojnë burime zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. “Në këtë mënyrë do t ë jetë m ë i lehtë kontrolli e do të shmangen abuzimet e mundshme”, shprehen të njëjtat burime pranë MASH. Urdhri pritet të mbërrijë në të gjitha drejtoritë arsimore dhe mësuesit do të kenë rreth 3 javë kohë për të plotësuar dosjen e aplikimit në këtë testim. Dokumenti i quajtur Portofoli i Zhvillimit Profesional përmban të gjitha të dhënat profesionale. Ai është një pikë kyçe në vlerësimin e çdo arsimtari. Pas dorëzimit të portofolit të zhvillimit profesional në Drejtoritë Arsimore, ata do t’i nënshtrohen provimit me shkrim. Në rast se mësuesit nuk e paraqesin këtë dokument, atëherë ata do të përjashtohen automatikisht nga testimi. Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit duhet të përgatitet nga vetë arsimtarët. Kjo është një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë u aplikua për herë të parë vitin e kaluar.
Shtesa në pagë
Sipas kushteve të vendosura nga MASH-i, provimit të kualifikimit për vitin 2010, do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët mbushin 5, 10, 20 vite pune në arsim, deri në fund të dhjetorit 2009. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009, do të kenë punuar 5 vite pune si arsimtar, kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Për shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Arsimtarët që do të kualifikohen direkt, pa marrë pjesë në provim, janë ata të cilët kanë kualifikimin “Master” ose gradën “Doktor i shkencave”. P ërgatitja e portofolit të zhvillimit profesional si kusht për vlerësimin e tyre u aplikua për herë të parë vjet. Për rrjedhojë, kandidatët që do të testohen këtë vit kanë marrë pjesë në një sërë trajnimesh. Ata që janë trajnuar nga IKT-ja gjatë vitit 2009 në bazë të Portofolit të Zhvillimit Profesional, në formularin e aplikimit mund të paraqesin certifikatën përkatëse në vend të portofolit të sipërcituar. Zotëruesit e kësaj certifikate me kredite duhet ta paraqesin certifikatën origjinale te specialistët dhe do të mbahet një kopje në dokumentacionin e DART-së. Do të jenë pjesë e testimit mësuesit me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri. Gjithashtu do të aplikojnë arsimtarët pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune. Një tjetër grup është i arsimtarëve pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar. Pjesë e provimit do të bëhen dhe arsimtarët pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e Edukimit muzikor ose të Edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune.

Shtesa në pagë

Kategoria e tretë
5 për qind
5 vite punë deri 31.12.2009

Kategoria e dytë
10 për qind
10 vite punë deri 31.12.2009

Kategoria e parë
20 për qind
20 vite punë deri 31.12.2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›