Dhuna në familje, 612 denoncime në nëntë muaj
Vetëm 612 gra në vendin tonë kanë marrë guximin të denoncojnë dhunën në familje gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti. Kjo shifër është evidentuar dje nga Ministria e Punës, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Ndërsa më parë të denoncoje dhunën në familje ishte më e frikshme, që pas miratimit të ligjit për parandalimin e saj faktet tregojnë të kundërtën. Sipas të dhënave nga Ministria e Punës, me hyrjen në fuqi të ligjit, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në ambientet familjare është rritur, kjo si pasojë e rritjes së ndërgjegjësimit të viktimave, por edhe strukturave përkatëse për mbrojtjen e viktimave. “Gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në mjediset familjare arrin në 612, ku dominojnë rastet e dhunës mes bashkëshortëve”, - ka pohuar ministri i Punës, Anastas Duro. Ligji ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” ka hyrë në fuqi në datën 1 qershor të vitit të kaluar. Plotësimi me akte nënligjore nga njëra anë dhe institucionalizimi i bashkëveprimit të strukturave përgjegjëse nga ana tjetër, sipas drejtuesve të Ministrisë së Punës janë dy hapa që do ta bëjnë më efektiv zbatimin e tij.
Ditën e djeshme, në ambientet e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” mes ministrave të Ministrive të Punës, të Drejtësisë, të Brendshme, të Arsimit dhe të Shëndetësisë. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri i Punës, Anastas Duro; ministri i Arsimit, Fatos Beja; zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri; zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi; si dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Gjatë këtij takimi, ministri Duro ka kërkuar angazhim të përbashkët në marrjen e masave për parandalimin dhe reduktimin e dhunës. Marrëveshja e nënshkruar nga përfaqësuesit e pesë ministrive i hap rrugë ngritjes së një mekanizmi bashkërendimi e koordinimi përgjegjësish të të gjitha institucioneve të ngarkuara nga ligji. Ministria e Punës, si institucioni përgjegjës për zbatimin e Ligjit, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes angazhohet të drejtojë dhe bashkërendojë punën me të gjitha institucionet e tjera, të garantojë mbrojtjen me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes viktima të dhunës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, grave, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.
15 Nentor 2008