Dhuna në familje, largohet nëna e 7 fëmijëve
Nëna e shtatë fëmijëve është larguar nga banesa e saj prej tri ditësh dhe deklaron se nuk do të kthehet, pasi e keqtrajton i shoqi. Ngjarja ka ndodhur në Valias, pranë Kamzës dhe ajo ka kontaktuar me policinë, por nuk pranon të dorëzohet. 44-vjeçarja ka lënë fëmijët me burrin dhe dje është shpallur në kërkim, ku mendohet se fshihet në ndonjë fshat pranë Tiranës, ose në zonën e Durrësit.
Burimet policore shpjeguan se tri ditë më parë në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në Tiranë, është paraqitur bashkëshorti i gruas së larguar, e cila ka lënë shtatë fëmijë në shtëpi. Ai ka shpjeguar se Elmie D. ka ikur fshehurazi dhe kërkonte ndihmën e policisë që ta kthente në shtëpi. Ai ka vënë në dispozicion të policisë numrin e saj, e cila ka kontaktuar me shërbimet policore. Policia i ka kërkuar asaj informacion pse ishte larguar, ku ajo ka shpjeguar se e keqtrajtonin në familje dhe prandaj kishte vendosur mos të jetonte më aty. Policia i ka kërkuar asaj të kthehet, pasi nuk do e lëndonin më, por ajo nuk besonte dhe është shprehur se nuk do të kthehej. Më pas, policia ka provuar edhe mënyra të tjera, por nuk e kanë bindur dot të kthehet dhe të tregojë se ku ndodhej, pavarësisht se kishte shpjeguar se ka ecur me orë të tëra dhe ka shkuar në një mal. Më pas, ajo ka përmendur edhe fjalën liqen, duke i lënë policisë të dyshojë se ndodhet pranë ndonjë fshati në Tiranë, ose pranë Durrësit. Për këtë arsye, policia e ka shpallur në kërkim. Fotoja dhe emri i saj u janë dhënë të gjitha shërbimeve të policisë, të cilat kanë nisur punën për gjetjen e nënës. Nga ana tjetër, policia ka nisur verifikimet, nëse ajo ndodhet te ndonjë i afërm dhe pret gjetjen e saj me qëllim që të sqarojë këtë konflikt në familje, si dhe të procedojë më tej për shqetësimin e krijuar në këtë familje.
#