E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbi 200 policë të objekteve do ti kalojnë kufirit

Vendimi

Mbi 200 efektivë policie që ruajnë objekte të rëndësisë së veçantë do të tërhiqen nga kjo detyrë me urdhër të qeverisë dhe do të vendosen me detyrë ruajtjen e kufirit. Kryeministri Sali Berisha e bëri të ditur këtë gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ku u shpreh se kjo masë bëhet në kuadër të reformave në polici, por që janë njëkohësisht dhe kërkesat e BE-së për procesin e liberalizimit të vizave. Ditën e djeshme, “Shqip” publikoi “shkrirjen” e policisë së objekteve, pasi në strukturat e kufirit duhet rritur numri i efektivëve. Rritja emergjente ishte me 300 efektivë, ndërkohë që më vonë pritet që ky numër të rritet edhe më shumë. “Në kuadër të reformës së policisë, hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës së Policisë së Shtetit, të cilët dërgohen në Policinë e Kufirit”, deklaroi Berisha. Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri kërkoi që në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë. Sipas tij, Shqipëria duhet t'i përgjigjet me shkallën më të lartë të përgjegjësisë luftës kundër drogës. Sipas projekt-vendimit që policia ka dërguar në qeveri, nën ruajtjen e policisë së objekteve do të mbeten vetëm selitë diplomatike, ndërkohë që gjithë institucionet e tjera do të lihen pa mbrojtje prej saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›