E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi pushton Shkodrën, dy atentate brenda 16 orësh

Arrestohet Afrim Rraboshta për vrasjen e Arben Bitanit dy ditë më parë. Një tjetër vrasje ndodhi dje në mëngjes, arrestohet autori i krimit

SHKODËR – Gjatë tre muajve të fundit, rrethi i Shkodrës është nën ethet e krimit dhe të atentateve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy vrasje me armë zjarri, ku kanë mbetur të vrarë një sipërmarrës ndërtimi dhe një shtetas tjetër 53 vjeç. Burimet policore raportojnë se brenda pak kohësh janë vënë në pranga dy autorët e vrasjes. Sipas tyre, në orët e para të së martës u arrestua shtetasi Afrim Rraboshta, pasi akuzohet për vrasjen e Arben Bitanit, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Barbullush. Edhe për ngjarjen që ndodhi rreth orës 6.30 të mëngjesit të djeshëm, në lagjen “Iliria”, ku mbeti i vrarë shtetasi Agim Tahiri, policia prangosi autorin e krimit Abdullah Durra.
Vrasje për borxh
Sipërmarrësi i ndërtimit Arben Bitani është vrarë pasi i kishte një sasi parash borxh shtetasit Afrim Rraboshta. Ky është motivi i krimit që ndodhi dy ditë më parë në fshatin Barbullush. Policia vuri në pranga Afrim Rraboshtën. Sipas burimeve policore, ai ishte fshehur në një fshat pranë Bushatit. Dy ditë më parë ai qëlloi me tre plumba 45-vjeçarin Arben Bitani, lindur në fshatin Barbullush dhe me banim në Shkodër. Bitani gjeti vdekjen e menjëhershme. Krimi u krye në rrugën e fshatit Barbullush të Shkodrës, jo shumë larg lokalit të të afërmve të viktimës. Nga të dhënat fillestare të grumbulluara nga policia, mësohet se viktima dhe autori kanë qenë së bashku në lokalin e familjes Bitani në Barbullush dhe kanë dalë andej së bashku, për t’u larguar me mjetin që drejtohej nga Bitani drejt Shkodrës. Ndërsa udhëtonin bashkë, ata janë ndaluar dhe kanë debatuar brenda në mjet. Pikërisht në këtë moment, Afrim Rraboshta ka qëlluar me armë 45-vjeçarin dhe më pas është larguar. Viktima është gjetur brenda mjetit në anë të rrugës. Pas verifikimeve të bëra, rezultoi që Bitani është qëlluar nga një distancë e afërt, me tre plumba, ku njëri ishte në kokë dhe dy të tjerë në gjoks. Mësohet se ka qenë vëllai i autorit që ka lajmëruar policinë për vrasjen e kryer. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkaku i vrasjes ka qenë një konflikt mes viktimës dhe autorit për një sasi parash. Autori i krimit është vëllai i kryetarit të PSD-së në Shkodër, Përparim Rraboshta, i cili është dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Shkodrës.
Vrasje pas sherrit
Pa kaluar as 16 orë nga krimi i mësipërm, një tjetër vrasje tronditi qytetin verior. Rreth orës 6.30 të mëngjesit, në lagjen “Iliria” është ekzekutuar me armë zjarri shtetasi Agim Tahiri, 53 vjeç. Brenda pak minutash, policia arrestoi autorin e krimit, Abdullah Durra, i cili është fqinjë me familjen e viktimës. Në rrethana që mbeten ende të paqarta, dy burrat janë përplasur mes tyre dhe në gjaknxehtësi e sipër Durra ka nxjerrë nga brezi një pistoletë me të cilën ka hapur zjarr ndaj Tahirit, duke i marrë jetën brenda pak çastesh. Menjëherë pas krimit, i dyshuari 50-vjeçar nuk ka arritur të shijojë lirinë pasi është arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia. Burimet policore shprehen se çështja i ka kaluar prokurorisë, pasi Abdullah Durra akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Brenda një periudhe të shkurtër kohe kanë ndodhur një sërë atentatesh në rrethin verior, ku kanë gjetur vdekjen 4 persona, ndërsa 7 të tjerë janë plagosur. Rritja e kriminalitetit në rrethin e Shkodrës ka ngjallur panik dhe frikë te banorët e kësaj zone.

RASTET
Më 25 nëntor u plagos inspektori i Policisë Pyjore, Zef Guri, nga fqinj i tij Gëzim C.
Më 23 nëntor, Syri Rexhepi plagosi me armë zjarri Fatlum Sh., i cili u arrestua nga policia.
Më 19 nëntor shtetasi Altin Billa tentoi të vrasë T.L., pas një grindjeje për motive të dobëta.
Më 7 nëntor ndodhi një përplasje me armë në qytetin e Shkodrës ku u plagos Hysen Tulja.
Më 1 nëntor është plagosur për motive hakmarrjeje Bledar Dhampiraj. Arrestohet Izmir Shpuza.
Më 27 tetor u plagosën me thikë në një lokal shtetasit E. H. dhe E. N. Shpallet në kërkim D. N.
Më 20 tetor iu grabitën me dhunë 40 mijë euro kambistit Altin Heqimi nga dy persona të maskuar.
Më 6 tetor vritet në një pritë gjatë një atentati në Malësinë e Madhe shtetasi Frederik Qersaqi.
Më 1 tetor, Anton Mbrozi vrau me armë zjarri kushërirën e tij, Marije Mbrozi, në Laç të Vaut të Dejës.
Më 26 shtator u vra Prendush Podja në Benë të Shllakut nga shtetasi Pashuk Marjakaj.
Më 21 shtator, të shtunën në mbrëmje u vra në pritë, në fshatin Shtirq, Enver Hysenaj.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›