E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes 40-vjeçari, e përplasi makina në rrugë



KRUJË - Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Derven të Fushë-Krujës. Burime policore të Drejtorisë së Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në aksin rrugor Fushë-Krujë -Lezhë, ku një makinë ka përplasur për vdekje shtetasin Bardhok Luka, 40 vjeç, i cili në momentin e goditjes nga mjeti po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Derven. Burimet policore pohojnë se kanë arrestuar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin me pasojë vdekje.

Pija përfundon me sherr, plagoset 19-vjeçari në lokal

KORÇË – Shakatë, në pije e sipër, në një lokal në rrethin e Korçës kanë përfunduar me përdorimin e armëve të ftohta, ku ka mbetur i plagosur një 19-vjeçar ndërsa autori ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës pohojnë se ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në fshatin Barç të rrethit të Korçës, në vendin e quajtur “Lapidari”. Sipas tyre, “21-vjeçari Kledis Ravolli, banues në fshatin Barç, ka plagosur me thikë fqinjin e tij, 19-vjeçarin Mirel Fejzolli. Nga hetimi doli se Kledisi, duke qenë shok i ngushtë me Mirelin, ka filluar të bëjë shaka, duke e shtyrë dhe tërhequr prej rrobash. Në një moment, Mireli është çarë në bark nga një thikë e vogël që Kledisi e mbante në dorë. Pas dëmtimit, Mirel Fejzolli u shtrua në Spitalin Civil të Korçës ku ndodhet tani në gjendje të mirë shëndetësore. Policia tha se për këtë ngjarje janë kryer veprimet procedurale në gjendje të lirë ndaj 21-vjeçarit Klevis Ravolli, për veprën penale “Plagosje nga pakujdesia”.

I jep fund jetës me fostoksinë 25-vjeçarja

DURRËS - Dy ditë pasi piu fostoksinë gjen vdekjen në spital një 25-vjeçare me banim në Durrës. Burimet zyrtare të policisë shprehen se gjatë ditës së hënë, rreth orës 19:00, është ndarë nga jeta shtetasja Elsuida Allmeta, 21 vjeçe, lindur ne Burrel dhe banuese në fshatin Sallmone të komunës së Xhafzotajt. Policia sqaron se Allmeta ishte shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë më 6 dhjetor. Sipas deklarimeve të familjarëve, ajo ka konsumuar një sasi lënde helmuese të llojit fostoksinë. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes si dhe është bërë këqyrja e kufomës në Spitalin Ushtarak. Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›