E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, rriten denoncimet në polici



Artan CENA
TIRANË - Janë rritur ndjeshëm denoncimet për dhunën në familje në Policinë e Durrësit. Nga të dhënat zyrtare të ofruara nga uniformat blu bëhet e ditur se në 17 ditët e para të muajit qershor janë denoncuar 12 raste për dhunë në familje. Shumica e tyre janë gra që zakonisht dhunohen nga bashkëshortët, por nuk mungojnë as rastet kur prindërit dhunohen nga fëmijët e tyre. Vetëm ditën e djeshme uniformat blu të qytetit bregdetar kanë administruar dy denoncime për dhunën në familje. Ato janë dy gra që janë marrë në mbrojtje, ndërsa dhunuesit janë dërguar në gjykatë. Prej më shumë se dy vitesh në të gjitha drejtoritë e policive në qarqe janë krijuar sektorë të veçantë që merren vetëm me dhunën në familje, duke administruar provat dhe dhënë ndihmën e nevojshme ndaj personave që janë bërë viktima. Burimet policore kanë bërë të ditur se edhe pse numri më i madh i denoncuesve është i gjinisë femërore, nuk mungojnë dhe denoncime nga burrat që dhunohen nga bashkëshortja apo fëmijët.
Denoncimet
Dy gra janë marrë në mbrojtjen e policisë pasi dhunoheshin nga bashkëshortët. Burime zyrtare të Policisë së Durrësit thanë gjatë ditës së djeshme se është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj 25-vjeçares me inicialet Xh. G., lindur në Dibër e banuese në fshatin Shënavlash, Durrës. Gruaja e re ka pretenduar para policisë se në mënyrë sistematike është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, 31-vjeçari me inicialet D. G., lindur në Durrës e banues në Shënavlash.
Një tjetër rast të dhunës në familje ka administruar dje Policia e Durrësit. 26-vjeçarja me inicialet V. M., lindur në Pukë e banuese në Lagjen Nr. 5, Durrës, beqare, me 1 fëmijë, ka deklaruar se i riu E. L., 29 vjeç, lindur në Mirditë e banues në Durrës, me 1 fëmijë, me të cilin ajo bashkëjeton, ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike e psikologjike, duke e rrahur, keqtrajtuar, kërcënuar e ofenduar sistematikisht. Me të marrë denoncime, policia ka marrë masat dhe dosjet i kanë kaluar gjykatës, që do të marrë dhe masat të tjera ndaj të denoncuarve.
Çfarë është dhuna në familje
Dhuna familjare quhet ndryshe edhe abuzim familjar, dhunë mes partnerësh intimë etj. dhe ndodh kryesisht ndërmjet njerëzish në marrëdhënie intime. Këtu përfshihet edhe dhuna mes dy ish-bashkëshortësh, të fejuarish apo të dashurish. Dhuna mund të marrë shumë forma, si kërcënime fizike apo psikologjike, izolim, fyerje, përçmim, si dhe abuzim fizik, emocional apo seksual. Të gjitha marrëdhëniet abuzive kanë karakteristika të ngjashme. Në të gjitha rastet abuzuesi ka si qëllim ushtrimin e fuqisë dhe kontrollit mbi partneren e tij. Shumë njerëz besojnë se dhuna familjare ka të bëjë me nervozizmin dhe nxehjen, por kjo nuk është e vërtetë. Dhuna është një mjet për të ushqyer frikën te partnerja, si edhe për të marrë në dorë fuqinë dhe kontrollin e një marrëdhënieje. Nervozizmi dhe egërsia janë mënyra me anë të të cilave abuzuesi përpiqet të vendosë autoritet ndaj së abuzuarës.

Tabela
Dhuna në familje
17 qershor – 2 denoncime
16 qershor – 2 denoncime
15 qershor – 1 denoncim
14 qershor – 0 denoncim
13 qershor – 0 denoncim
12 qershor – 0 denoncim
11 qershor – 0 denoncim
10 qershor – 0 denoncim
9 qershor – 0 denoncim
8 qershor – 1 denoncim
7 qershor – 3 denoncime
4 qershor – 2 denoncime
3 qershor – 0 denoncim
2 qershor – 0 denoncim
1 qershor – 1 denoncim

Taktikat e shpeshta që përdoren nga abuzuesit:
- Fëmijët: Ai ju akuzon se jeni nënë e paaftë, ju kërcënon se do ta largojë fëmijën prej jush, e përdor fëmijën për t’ju transmetuar mesazhe të ndryshme etj.
- Kërcënimet dhe agresiviteti verbal: Ju kërcënon se do t’u bëjë keq pjesëtarëve të tjerë të familjes si fëmijëve apo vetes.
- Mohimi dhe fajësimi: Ai mohon se bëhet fjalë për dhunë e abuzim dhe e kalon te ju përgjegjësinë e tij për sjelljen e dhunshme. Kjo ju bën të mos mendoni kthjellët dhe të jeni të pasigurta në vetvete, ose të ndjeheni se po humbni kontrollin e vetes.
- Abuzimi ekonomik: Ai kontrollon anën financiare të familjes, refuzon të ndani të ardhurat, ju kërkon llogari për paratë e shpenzuara ose nuk ju lejon të punoni jashtë shtëpisë. Ai mund të ndikojë negativisht në punën tuaj duke u bërë pengesë si p.sh. duke ju detyruar të mungoni shpesh.
- Abuzimi emocional: Ai ju kritikon, ju fyen duke ju bërë të ndjeheni keq.
- Trembja: Përdor mimika apo fjalë, fyerje të tilla që ju bën të keni frikë, thyen objekte të ndryshme në shtëpi deri te përdorimi i mjeteve të forta si thika për t’ju trembur duke ju kërcënuar.
- Izolimi: Ai kufizon kontaktet tuaja me miqtë apo familjarët, pretendon që t’i merrni leje sa herë dilni nga shtëpia, kontrollon aktivitetet tuaja, ku shkoni, kë takoni etj. Ai ju pyet ku ishit, mat kohën etj.
- Fuqia: Ai merr vendimet më të rëndësishme, përcakton rolet në marrëdhënien tuaj, ka përgjegjësinë e jetës familjare dhe asaj shoqërore duke ju trajtuar si pronë apo shërbëtoren e tij.

Në shumicën e rasteve dhuna drejtohet:
ndaj grave brenda çiftit;
ndaj fëmijëve nga prindërit;
midis vetë fëmijëve;
nga fëmijët drejtuar prindërve;
ndaj të moshuarve;
ndaj personave me paaftësi.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›