Gjykata lë të lirë këngëtarin Erion Korini
TIRANË - Këngëtari Erion Korini është lënë dje i lirë nga Gjykata e Tiranës, duke vendosur për të vetëm masën e “detyrimit me paraqitje”. Burime nga Gjykata pohuan se këngëtari ka mohuar të ketë gisht në tentativën për vetëvrasje të së fejuarës së tij. Të njëjtat burime sqaruan se Korini ka pranuar se prej kohësh nuk kishte pasur marrëdhënie të mira me të dhe se lidhja e tyre ishte drejt fundit. “Kishim një muaj që nuk shkonim mirë. Madje më ka ikur dy herë nga shtëpia”. Kështu është shprehur për oficerët e skuadrës së zbulimit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, këngëtari 33-vjeçar Erion Korini. Këngëtari u shoqërua me akuzën e “shtyrjes drejt vetëvrasjes së mbetur në tentativë” të së fejuarës së tij Marvina Stefa.
Pasditen e së martës, 24-vjeçarja qëndroi për gati gjysmë ore në parvazin e ballkonit, në katin e katërt të banesës në rrugën “Babë Rexha” në Tiranë, ku bashkëjetonte me Korinin, duke kërcënuar se do hidhej. Vajza u largua nga skuadra e operacioneve speciale dhe RENEA, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe shërbime të shumta të Komisariatit të Policisë Nr. 2 së Tiranës. Sipas policisë, vajza kishte shenja të dukshme dhune, ndërsa u dyshua se ishte pikërisht kjo dhunë që e kishte detyruar atë të tentonte të vetëvritej. Policia shoqëroi dhe më pas arrestoi Korinin, i cili ndodhej në banesë kur ndodhi ngjarja. Çifti kishte gati 4 muaj e gjysmë që bashkëjetonte dhe xhelozitë bëheshin shpesh shkak për grindje mes tyre. Vetë këngëtari ka pranuar problemet dhe grindjet e vazhdueshme me të fejuarën, me të cilën, sipas tij, kishte të paktën një muaj që nuk “merrej vesh” më. Ndërsa ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj së fejuarës, Korini ka pretenduar se në dy raste kjo e fundit i kishte ikur nga shtëpia, por ishte kthyer sërish për të bashkëjetuar. Në fakt, Stefa ka deklaruar në polici se ndaj saj i fejuari ushtronte dhunë sistematike, madje e kishte futur edhe në vaskë me ujë të ftohtë si ndëshkim.
18 Qershor 2010