E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba mbi punonjësin e Inspektoratit, arrestohet polici me objektin pa leje



Aksioni i Inspektoratit Ndërtimor në Vlorë për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Prishja e një objekti, i klasifikuar si ndërtim pa leje në Pyllin e Sodës, është shoqëruar me reagimin e ashpër me armë nga pronari. Maringlen Xhezaj, shefi i Policisë Rrugore Ushtarake në Vlorë, ka qëlluar me armë ndaj drejtuesit të mjetit të Inspektoratit Ndërtimor, por që fatmirësisht, nuk e ka kapur asnjë nga pesë plumbat. Policia e rendit ndërhyri duke arrestuar autorin, ndaluar vëllanë e tij dhe tre persona të tjerë, të cilët tentuan që të bllokonin aksionin e ndërmarrë në zonën bregdetare. Kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, Gjergj Bojaxhi, i cili po ndjek në terren realizimin e operacionit, deklaroi prerë se nuk do të ketë asnjë tërheqje përballë çdo presioni nga pronarët e ndërtimeve të paligjshme. Aksioni ka vazhduar në gjithë zonën bregdetare në Vlorë, ku janë listuar për t’u prishur 100 objekte, pas operacionit që përfundoi në rrethin e Sarandës ku u shembën 320 ndërtime pa leje gjatë javës së kaluar.

Përplasja
Sapo ka parë mjetet e Inspektoratit Ndërtimor në pronën e tij që ndodhet në Pyllin e Sodës, Maringlen Xhezaj ka kundërshtuar duke përdorur edhe armën që e mbante për shkak të detyrës së tij. Ai i është drejtuar me një breshëri plumbash pistolete fadromës që po shembte shtëpinë e tij. Asnjëri prej pesë plumbave nuk ka prekur drejtuesin e mjetit. Policia e Vlorës, e cila po mbështet operacionin e Inspektoratit, e ndaloi menjëherë Xhezajn, i cili mban detyrën e shefit të Policisë Rrugore Ushtarake. Burimet zyrtare pohojnë se është shoqëruar edhe vëllai i autorit të ngjarjes, me detyrë punonjës police në Gjirokastër, pasi edhe ky i fundit ka kundërshtuar me dhunë policinë.

Deklarata
Kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, Gjergj Bojaxhi, i ndodhur në qytetin e Vlorës, ku po bëhet prishja e objekteve, ka deklaruar se operacioni do të vazhdojë për prishjen e të gjitha objekteve pa leje. Përmes një deklarate për mediat, Inspektorati bën të ditur se aksioni në Pyllin e Sodës ka nisur që të enjten në mëngjes dhe janë parashikuar për t’u shembur 80 objekte; ku 50 janë banesa dhe 30 të tjera objekte me aktivitet ekonomik. Sipas saj, të gjitha janë ndërtuar pas vitit 2006. Në aksion janë përfshirë 100 punonjës të Inspektoratit të Ndërtimit dhe të Policisë së Shtetit. Në listë prishjeje në zonën e Pyllit të Sodës janë 100 objekte, por burimet në Inspektorat sqarojnë se për 20 objekte pritet konfirmimi nga ALUIZNI. Zona ku po realizohet aksioni është përgjatë dy krahëve të aksit rrugor që lidh Vlorën me Zvërnecin.
“Inspektorati Ndërtimor do të vijojë të ndërhyjë mbi çdo objekt pa leje që shkatërron pasuritë publike, ato turistike, kulturore, ekonomike dhe sociale”, - thuhet në deklaratën e bërë dje nga ky institucion. Prej rreth dy javësh ka nisur operacioni i Inspektoratit në zonën bregdetare, përgjatë Rivierës së Jugut. Në pastrimin e zonës u shembën rreth 320 ndërtesa në Ksamil e Bërdnesh. “Ndërhyrjet e Inspektoratit Ndërtimor synojnë të hapin rrugën për zhvillimin e një turizmi elitar dhe të qëndrueshëm në bregdetin e Jonit dhe planifikohet të ketë disa faza, të cilat do të përfundojnë deri në fund të këtij viti”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Deri tani janë shënuar përplasje të vogla mes banorëve – pronarë dhe punonjësve të Inspektoratit, por ngjarja e ndodhur dje në Pyllin e Sodës shënoi konfrontimin e parë serioz gjatë realizimit të këtij aksioni.

18 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›