Dhuna në futboll dhe niveli i përfaqësimit
Në tërësinë e ngjarjeve të bujshme që ndodhin jo rrallëherë në Shqipëri, shpesh ngelin pa u analizuar disa ngjarje të tjera në dukje jo shumë të rëndësishme, sikurse dhuna në fushat sportive apo stadiumet e qyteteve të ndryshme, ku rasti më i fundit ishte ai i ndodhur në Fushë Krujë. Edhe pse tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën të paktën 25 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pa llogaritur dëmet materiale në disa milionë Euro, apo afrimi i Samitit të NATO-s në Bukuresht, mund të mos jenë të krahasueshme për nga vlerat apo përmasat me dhunën e ndodhur në një fushë futbolli jo shumë larg Tiranës (vetëm 22 km), shpeshtësia e ngjarjeve të tilla, ku pothuajse çdo javë ka të paktën një kronikë të tillë dhe protagonistët e saj, duhet të na bëjë të mendojmë më shumë dhe të ndalemi më gjatë në dy aspekte: aspektin sportiv dhe në protagonistin e dhunës.
Në aspektin sportiv, dhuna ndaj gjyqtarit është krejt e papranueshme. Për veprimet e gjyqtarit, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ekziston një komision i veçantë që duhet të shqyrtojë si veprimet ashtu edhe mosveprimet e gjyqtarëve. Nëse këto janë bërë me dashje, atëherë duhet të merren masa të forta ndëshkuese. Nëse veprimet apo mosveprimet nuk klasifikohen si me dashje, atëherë komisioni vendos sipas peshës së gabimit. Pa dashur të shfajësoj gjyqtarët, nuk duhet të harrojmë që gjyqtari duhet të vendosë në disa fraksione të sekondës dhe ka vetëm një palë sy për ta parë. Është normale dhe mund të ndodhë që pozicioni në të cilin ndodhet, mund të mos i lejojë një shikim të qartë. Skena të tilla ndodhin çdo fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Europë, aq sa diskutohet vënia e kamerave pranë portave apo një mikroçipi brenda topit të futbollit. Sipas logjikës së njerëzve të përfshirë në dhunën e ndodhur në Fushë-Krujë, i bie që çdo ditë që ka ndeshje futbolli, të ndodhi edhe dhunë në stadiume.
Sipas njërit prej protagonistëve, dhuna justifikohet me faktin që gjyqtari: "Nervozoi lojtarët e Ilirisë dhe luajti me ndjenjat e tifozëve në stadium". Personalisht, nuk jam jurist, por nuk kam dëgjuar kurrë që duhet të dhunohet një njeri, për më tepër një gjyqtar në fushën e blertë pasi ka nervozuar dikë, për me tepër nga tifozët.
Sa për paralelizëm: Në të njëjtën ditë që në Fushë-Kruje ndodhi një ngjarje e tillë, në Gjermani, përfaqësuesit e klubeve më në zë të Bundesligës, nënshkruan një memorandum për mirëkuptim me gjyqtarët e futbollit. Klaus Allofs, një ndër futbollistët e shquar Gjermanë, ish-Kampion i Europës në 1980 dhe nënkampion i Botës në 1986, tashmë në pozicionin e menaxherit pranë ekipit të Werder Bremen, shprehej: "Ne duhet të tregojmë më shumë respekt dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin". Ndërsa Herbert Fandel, një ndër gjyqtarët më të mirë gjermanë, njëkohësisht gjyqtar i FIFA-s, shprehej: "Ne (gjyqtarët) jemi të hapur për kritikë pasi na nevojiten inputet nga Liga". (http://www.tor24.de/bundesliga/liga-gelobtmehr-verstaendnis-schiedsrichter-19617.html).
Aspekti i dytë, është ai i protagonistëve të dhunës. Jo rrallëherë ka ndodhur, si në rastin e Fushë Krujës, ku protagonistë mos jenë lojtarët por persona të tjerë. Shpeshherë janë presidentët e ekipeve që zbresin të parët në fushë dhe debatojnë me gjyqtarët. Kujtojmë këtu vetëm rastin kur presidenti i Vllaznisë, në ndeshjen e kampionatit të kaluar ndaj Tiranës, i tërhoqi futbollistët e tij nga fusha dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, për t'i shpëtuar dënimit nga Federata, tregonte pafuqinë e tij, duke u shprehur se nuk i tërhoqa unë futbollistët por Presidenti i Klubit. Pak javë më parë, në një ndeshje ndërmjet SK Elbasanit dhe Shkumbinit të Peqinit, u përfol përfshirja e deputetit të Peqinit,, por që nuk u vërtetua. Në rastin e Fushë-Krujës, del një deputet i "fortë" dhe pranon që e ka goditur gjyqtarin Shkëlqim Guçe, pasi, sipas tij, nuk ka gjykuar aspak në mënyrë të ndershme, duke luajtur me ndjenjat e te gjithëve në stadium ("Shekulli", datë 01.04.2005).
Duke bërë përsëri të njëjtin paralelizëm me Gjermaninë, po përpiqem të përfytyroj se çfarë mund të ndodhte p.sh., nëse z.Kurt Beck, Kryeministër i Landit të Rheinland-Pfalz, do zbriste në fushën e lojës për t'u zënë me gjyqtarët pas një penalltie të mohuar ndaj Karslruhes, skuadrës së tij të zemrës, një ndër krenaritë e futbollit gjerman, por që po lufton për të mos rënë në kategorinë e tretë. Ose, sikur deputeti i Jenës të zbriste në fushë për të dhunuar gjyqtarin e takimit, i cili në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Borusia-Dortmund, nxori pa asnjë faj me karton të kuq, lojtarin më të mirë të ekipit, Carl Zeiss Jena. Dhe imagjinoni që një fitore e Jenës në atë takim, do të thoshte pjesëmarrje në Kupën UEFA dhe përmirësim të ndjeshëm të situatës financiare të klubit, që po ashtu po lufton për të mos rënë në kategorinë e tretë.
Kur një deputet dhunon një person që ka një farë statusi dhe e bën këtë në mes të mijëra vetëve, çfarë mund të pres një qytetar i thjeshtë i Krujës, që e futi deputet të listës shumë-emërore të Partisë Republikane me stilin e Dushkut? Nëse deputetët cilësohen "të papërgjegjshëm ligjërisht për ç'ka thonë në Parlament", (http://www.parlament.al/), ligji duket t'i bëjë ato "të përgjegjshëm ligjërisht për ç'ka bëjnë jashtë parlamentit".
Ndoshta nuk do ia vlente të merresh me këtë rast, nëse do ishte krejt i veçantë. Fatkeqësisht, raste të tilla po përsëriten. Jo shumë kohë më parë, një tjetër deputet u përfshi në një rrahje. Pa diskutuar nëse kishte faj gazetari që "ia bëri për borxh" apo deputeti veproi kështu sepse i dolën të palarat, këto raste tregojnë edhe një herë nivelin e ulët të përfaqësuesve tonë në parlament. Mjafton që të navigoni paksa në faqen e Kuvendit të Shqipërisë (http://www.parlament.al/) dhe do shikoni se cilët janë përfaqësuesit tanë. Numërohen me gishtat e njërës dorë ato që kanë kryer studimet e larta apo kanë mbrojtur doktoraturat jashtë. Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë lexuar një libër qëkurse kanë mbaruar universitetet dhe i kanë mbushur CV me kurse trajnimi një ose dy ditore, ku kanë qenë dëgjues pasivë. Meqë është bërë e modës që të kesh një titull Master apo Doktor, tani kanë vërshuar të gjithë të marrin nga një diplomë të tillë, se diplomat e Juridikut i kanë marrë me shkollë nate. Dhe për t'u treguar si të kohës, rreshtojnë si aktivitete apo botime, ndonjë shkrim apo intervistë në gazeta. Nuk çuditesh kur dëgjon që kemi deputetë liste dikë që fakultetin e ka bërë 7 vjet, nga 5 që është kohëzgjatja normale e studimeve. Apo një deputet (GSH) në CV e tij shkruan: "Edukimi: Akademia e Arteve, Fakulteti Ekonomik". Janë këta deputetë që votojnë verbazi çdo ligj në Parlament dhe pastaj kemi ngjarje tragjike si kjo e Gërdecit.
Tani kur kanë ngelur diçka më shumë se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ngelet vetëm që të shpresojmë që partitë të tregojnë më shumë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve dhe që votuesit të mendohen më mirë kur ta japin votën e tyre.
*Universiteti Teknik, Dresden, Gjermani