E Shtunë, 31 Tetor 2026

Massalia, vajza e largët

 

Është titulli i dokumentarit grek me regji të Marko Gastin, i cili vijon ditët e projeksioneve të "Pranverës së frankofonisë". Sonte, në orën 19.00 kur filmi do të shfaqet në sallën "Black Box" në Akademinë e Arteve, do të jetë i pranishëm regjisori franko-grek Marko Gastin, njëherësh autor i skenarit.

Historia e "Massalia, vajza e largët" është historia e individëve me dy identitete: Jietu ose Enriet, Stavros ose Gustav, Nikos ose Nikola, Amfilohios ose Frederik... francezë me origjinë greke që jetojnë në Massalia ku të parët e tyre u vendosën ashtu sikundër banorët nga Fokea e Greqisë kishin themeluar qytetin përpara 2.600 vjetësh. Burra dhe gra me një identitet të dyfishtë që i rrëmbën, çdonjeri prej tyre ka se çfarë të tregojë për historinë e vetë. Disa guxojnë që të bëjnë hapin e kthimit në vendin e origjinës së të parëve.

Jietu, personazhi kryesor i dokumentarit, përfaqëson në një të gjitha historitë. Ashtu sikurse Massalia, edhe ajo është një vajzëe largët e Greqisë. Ky film ka fituar çmimin e parë për dokumentarin në Festivalin e Selanikut, 2004, çmimin për filmin më të mirë grek në festivalin Ecocinema në Rodos, 2004 dhe ka qenë kandidat për çmimin "Europa" në Berlin. Është prodhim i vitit 2004, zgjat 87 minuta.

Autori Marko Gastin u ngjan deri-diku personazheve të tij. Ai u lind në Paris më 1952. Studjoi për Arkitektonikë në Paris dhe për regjisurë në Athinë. Qysh prej vitit 1978 jeton dhe punon në Greqi. Pas një karriere të shkurtër në profesionin e arkitektit, prej shumë vitesh ai merret ekskluzivisht me kinematografinë si regjisor dhe skenarist, me prirje të veçantë në fushën e dokumentarit. Në veprat e tij rëndësi të veçantë zënë qytetet dhe njerëzit e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›