E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ne stadium Gjyqtaret E papranueshme

“Ajo që ndodhi në Pogradec është një tjetër ngjarje e rëndë në futbollin Shqiptar. Është e papranueshme”. Ky është komenti i parë i Tahir Kastratit, presidentit të Shoqatës së Gjyqtarëve, për ngjarjen e ndodhur në Pogradec, ku në përfundim të sfidës ndërmjet vendasve të drejtuar nga Ylli Çekiçi dhe Teutës, gjyqtari Enea Jorgji u dhunua në tunelin e dhomave të zhveshjes. Tentativat për goditjen e tij nisën prej momentit kur ai po largohej nga fusha, ndërsa më pas, gjithçka u konsumua në ambientet e brendshme të stadiumit, aty ku mungonin edhe pamjet filmike.
“Bilbili” u kontestua fort në përfundim të takimit, për penalltinë e akorduar me të drejtë në favor të skuadrës durrsake, që i dha Teutës fitoren. Megjithatë, dhuna që vazhdon të shfaqet në stadiumet shqiptare, mbetet një plagë e hapur. Këtë e pranon edhe Kastrati, i cili theksoi se të hënën do të zhvillohet një tjetër mbledhje me arbitrat e futbollit, për të vendosur se çfarë hapash do të ndërmerren, vetëm një javë pas bojkotit nga “xhaketat e zeza”, pas dhunës ndaj gjyqtarit Jemini në Laç.
“Në bisedën që kam zhvilluar me gjyqtarin Jorgji, por edhe me delegatët dhe vëzhguesit mësova se përveç të tjerave, ai ka pësuar edhe një çarje pas një goditjeje me çadër. Do të diskutojmë për mënyrën si do të veprojmë dhe natyrisht që unë do të mbështes çdo vendim të arbitrave. Megjithatë, e them përsëri që dhuna është e papranueshme”, vlerësoi Kastrati.
Gjithashtu, duke iu referuar po këtij rasti, Kastrati vuri në dukje se “ pashë ndeshjen dhe vendimi për 11-metërsh dukej i drejtë, por pavarësisht kësaj ne duhet të luftojmë fenomenin, pasi gjyqtarët nuk mund të dhunohen për çdo vendim të kontestueshëm, apo qoftë edhe për gabime njerëzore. Duhet gjetur një zgjidhje për këtë problem, nga të gjithë aktorët e futbollit. Nuk mendoj që një tjetër bojkot, apo ndërprerja e kampionatit nga ana e arbitrave, do të ishte zgjidhja më e mirë, por nevojitet bashkëpunimi i të gjitha palëve”.
Ndërkohë, për ngjarjen në stadiumin e Pogradecit, është pezulluar përkohësisht shefi i rendit. Masa për largimin e tij përfundimtar nga detyra do të merret vetëm nëse vërehen shkelje gjatë shqyrtimit të pamjeve filmike, apo edhe dëshmive të personave që ishin të pranishëm në ambientet e stadiumit.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›