Dhuna në stadiume, Tirana rrezikon përjashtimin
Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Federata Shqiptare e Futbollit ka kërcënuar me masa tepër të ashpra për ngjarjet e ndodhura në derbin mes Tiranës e Dinamos, por edhe për ato të Vlorës. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka zhvilluar një mbledhje urgjente për situatën e krijuar, ndërsa presidenti Armand Duka u shpreh se do të veprohet me dorë të hekurt, pasi askush nuk ka imunitet ndaj dhunës. “Në emër të të gjithë komitetit të futbollit unë duhet tu kërkoj falje tifozëve të Vlorës, të Tiranës dhe futbollistëve të Tiranës, duhet tu kërkoj falje dhe atyre futbollistëve të dëmtuar. Kam besimin e plotë se ne si komitet do të gjejmë forcat për ti korrigjuar brenda vetes dhe për të rivendosur atë që kërkon loja më e bukur në botë, fairplay. Asnjë nuk mund të ketë imunitet për të përdorur dhunë. Asgjë nuk e përligj shfaqjen e dhunës, qoftë dhe një gabim i gjyqtarit, qoftë dhe një gabim i futbollistit, dhuna duhet dënuar”, - theksoi Armand Duka, president i FSHF. Pas ngjarjeve në Vlorë, ku arbitri anuloi pas presionit penalltinë, derbi mes Tiranës dhe Dinamos ditën e hënë degjeneroi në grushte e shkelma mes futbollistëve. Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, dhe trajneri Alban Tafaj goditën me grushte Elis Bakajn dhe të dy rrezikojnë dënime tepër të rënda nga Komisioni i Disiplinës. Ngjarja, e ndodhur në “Qemal Stafa”, në sytë e presidentit të Republikës dhe të trajnerit të Kombëtares, shënoi një nga episodet më të turpshme në futbollin shqiptar vitet e fundit.
Tirana rrezikon përjashtimin
Komiteti Ekzekutiv i Federatës i ka kërkuar Komisionit të Disiplinës dhe atij të Apelit që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregulloren në rastet e dhunës së shfaqur në ndeshjet Flamurtari-Besa dhe Tirana-Dinamo. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme që zgjati mbi 3 orë, ky organ u kërkoi komisioneve juridike që të jenë të rrepta në vendimet e tyre konform rregullores në fuqi të futbollit. Duke parë qëndrimin e Federatës, klubi Tirana rrezikon seriozisht edhe përjashtimin nga aktiviteti dhe zbritjen një kategori më poshtë për shkak të dhunës së shpërthyer në fund të derbit me Dinamon. Neni 24, pika D i Kodit të Drejtësisë Sportive, pjesa që flet për klubet Shoqëritë dhe Shoqatat, përcakton se në rastet kur para, gjatë dhe pas ndeshjes ndodhin trazira dhe rrihen, goditen apo dhunohen fizikisht lojtarë, arbitra apo zyrtarë të Federatës, klubi, shoqata apo shoqëria që organizon ndeshjen, dënohen me përjashtim nga aktivitetet futbollistike dhe uljen një kategori më poshtë. Një vendim ky që rrezikon të aplikohet edhe në rastin e Tiranës, klubit më të madh të vendit dhe aktualisht skuadra kampione në fuqi. Presidenti i Federatës, Duka, si edhe Komiteti, kanë kërkuar që masat të jenë sa më të ashpra, pasi ngjarjet që ndodhën ishin një shëmti e futbollit. Ndërkohë, tri pikat e tjera të nenit 24 përcaktojnë se mund të jepen edhe dënime nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë gjobë si edhe zhvillimi i ndeshjeve, nga 1 deri në 6 ndeshje, pa tifozë ose në fushë asnjanëse. Për sa i përket trajnerit Tafaj, në neni 25 pika 6, përcakton se kur një trajner godet me grusht një lojtar kundërshtar, dënohet me përjashtim një vit nga aktiviteti. Ndërsa për kapitenin e Tiranës, Devi Muka, që goditi lojtarin kundërshtar, rregullorja përcakton një dënim nga 5 deri në 10 ndeshje pezullim si edhe 100 mijë lekë gjobë. Mbledhja e Komisionit të Disiplinës për këto ngjarje pritet të mbahet sot pasdite. Në vendimet e tjera të marra nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës ditën e martë ishte ai i shkrirjes së Komisionit të Apelit, që kohët e fundit pati dhënë një seri vendimesh arbitrare.
Policia
Derbi i ditës së hënë mes Tiranës dhe Dinamos ka vënë në pikëpyetje mjaft aspekte të futbollit shqiptar. Situata u bë e pamenaxhueshme edhe me hyrjen e tifozëve në fushë, të cilët, pasi thyen pjesët mbrojtëse të tribunave, arritën të zbrisnin në fushën e blertë. Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë konfirmuan se lidhur me rastin e djeshëm ky institucion para fillimit të ndeshjes dërgon relacione të veçanta lidhur me kushtet e sigurisë në të cilën duhet të zhvillohet një ndeshje futbolli. Sipas drejtuesve të policisë lidhur me ngjarjen e djeshme do të formohet një grup i veçantë pune dhe do të mbahet përgjegjësi nga ky institucion, por problemi është më i thellë. Sipas tyre, kushtet fizike tejet të amortizuara të stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa" dhe mosndërhyrja për rehabilitimin e tyre është një nga shkaqet kryesore të trazirave në ndeshjet e futbollit. Relacionet e dërguara nga ky institucion janë të shpeshta, por gjendja e stadiumeve në Shqipëri sa vjen e përkeqësohet.
Reagon dhe KOKSH
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, ndaj incidenteve të ndodhura dje gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana – Dinamo në stadiumin “Qemal Stafa”, ku janë shfaqur akte dhune në sport duke lënë një shije të hidhur për imazhin e sportit dhe vlerat e tij. “KOKSH i bindur në filozofinë dhe në misionin e Lëvizjes Olimpike dhe Sportive që promovon paqen, respektin, lojën e ndershme të bazuar në rregulla, dënon çdo lloj dhune në sport”, shkruhej në deklaratën e KOKSH. Sipas KOKSH, “akte të tilla, nuk janë aspak etike madje në kundërshtim me frymën e “Fair Play”. Me bindjen se akte të tilla do të dënohen gjithmonë nga autoritetet përkatëse për të mbrojtur vlerat dhe lavdinë e sportit, KOKSH uron që këto ngjarje të mos jenë një fenomen i zakonshëm i kulturës sportive në shoqërinë tonë. “Të gjithë aktorët sportivë dhe publikë, ata që ndikojnë në mënyrë direkte apo indirekte në sport, dhe në veçanti sportistëve, trajnerëve, zyrtarëve, tifozëve, që japin kontributin e tyre për shfaqjen e vlerave të vërteta të sportit duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e këtyre situatave”, - thekson KOKSH. “Në kushtet kur Shqipëria po aspiron të renditet dhe ajo përkrah shteteve të tjera evropiane si e barabartë me ta në BE është e nevojshme dhe ne të jemi në të njëjtën linjë të bashkëpunimit evropian në luftën kundër dhunës në sport duke nxitur aktivisht zhvillimin e parandalimit të dhunës dhe përmirësuar zhvillimin e sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, përfundon deklarata e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010