Feni në Beograd, Tito i trembet flirtit Moskë-Tiranë
Autori i Lajmit: Androkli DraloBeograd, 17 gusht 1978 - Pasi vizitoi Rumaninë nga 16-21 gushti, udhëheqësi komunist kinez, Hua Kuo Fen, do të udhëtojë për në Jugosllavi prej 21 gushtit, për ti kthyer kështu vizitën e një viti më parë Titos (30 gusht - 8 shtator 1977). Vizita e Huasë në Beograd do të shënojë jo vetëm pajtimin përfundimtar mes Kinës dhe Jugosllavisë si shtete, por dhe afrimin e dy partive komuniste. Rivendosja e pritshme e marrëdhënieve të partive homologe komuniste mes Beogradit dhe Pekinit gjatë vizitës së Titos në Kinë (1977) nuk u vendos dot. Në këtë kohë, jugosllavët nuk e fshehën zhgënjimin e tyre veçanërisht, që prej momentit që informacioni i medies jugosllave fliste për një “dialog ideologjik” mes Titos dhe Kuo Fenit në Pekin. Ende, mikpritja e përzemërt që iu rezervua Titos në Kinë nuk tregoi se marrëdhëniet jugosllavo-kineze kishin hyrë në një fazë të re, e cila me kalimin e kohës do të çonte drejt rivendosjes së marrëdhënieve ndërpartiake. Sidoqoftë, të kënaqur me vizitën e afërt të Fenit, për shkak të përmirësimit të imazhit politik të Jugosllavisë në arenën ndërkombëtare, jugosllavët kanë qenë të vetëdijshëm se interesat kineze në Ballkan kanë qenë të lidhura direkt më shumë me kundërshtimin e “planeve hegjemoniste” të Moskës në këtë pjesë të Evropës, sesa me dhënien e një ndihme të sinqertë për shtetet e vogla që shtrihen në këtë zonë. Pa dyshim, kjo është një nga arsyet kryesore pse Titoja e përshpejtoi vizitën e tij në Moskë për tu takuar me Brezhnjevin, menjëherë pasi Kuo Feni të lërë Jugosllavinë. Kina është shumë larg, ndërsa Bashkimi i madh Sovjetik shtrihet shumë afër kufijve jugosllavë. Jugosllavët nuk mund ta harrojnë lehtë shprehjen më të spikatur të kryeministrit kinez, Çu En Lai, i cili i tha një gazetari më 1971 se vendet e vogla komuniste të Evropës (duke nënkuptuar, Rumaninë, Jugosllavinë dhe Shqipërinë) nuk mund të prisnin diçka më shumë se mirëkuptimi i Pekinit. Ne nuk do ti tradhtojmë kurrë shokët tanë. Ne i përkrahim këto vende të vogla dhe mesatare... Ne i përkrahim ato dhe do ta përforcojmë sa të mundemi mbështetjen për to. Sidoqoftë, ne jemi shumë larg Evropës dhe siç e dini, një nga proverbat më të njohura tona thotë: “Uji i largët nuk mund ta shuajë zjarrin”. Sigurisht, që do të ishte e pavërtetë për Titon që mbështetësit e tij të presin diçka më shumë se simpatia nga Pekini në luftën e tyre kundër hegjemonisë së Moskës. Pavarësisht kësaj, deklarata e vitit 1971 e kryeministrit kinez i bëri ata të mendonin seriozisht. Në radhë të parë, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Pekinit kanë çaluar shumë nga dy arsye krejtësisht të kundërta të sjelljes kineze ndaj Bashkimit Sovjetik. Gjatë kohës së “muajit të mjaltit” Moskë-Pekin, kinezët i konsideronin komunistët jugosllavë të udhëhequr nga Titoja si “shkurtabiqë të gjunjëzuar në baltë, të cilët përpiqeshin të pështynin një gjigant që qëndronte në një mal të lartë”. Pasi marrëdhëniet kinezo-sovjetike u armiqësuan, jugosllavët u shndërruan në “shokë të dashur”. Të dyja marrëdhëniet respektive mes Moskës dhe Pekinit nuk janë zhvilluar “normalisht”, e thënë si në kuptimin pozitiv ashtu edhe në atë negativ të fjalës. Marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve kanë pasur shumë ulje ngritje që prej pajtimit mes Titos dhe Hrushovit në majin e vitit 1955. Sidoqoftë, ndryshe nga ndjeshmëria ekstreme e Pekinit ndaj çdo çështjeje politike që brengos marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, rusët dhe jugosllavët nuk e kanë luajtur kurrë fort “kartën kineze” për të luftuar njëri-tjetrin, si në marrëdhëniet bilaterale, ashtu dhe në lëvizjen ndërkombëtare komuniste. E vërtetë, jugosllavët janë nxitur nga kinezët për ti bërë ballë agresivitetit sovjetik dhe “planeve hegjemoniste”, por ata nuk kanë harruar kurrë vërejtjet e Çu En Lait se “uji i largët nuk mund ta shuajë zjarrin” dhe kinezët, duke mos qenë në gjendje ta “shuajnë zjarrin” kanë shfaqur interes ta ndezin atë në marrëdhëniet mes shteteve dhe partive të veçanta komuniste dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo është arsyeja kryesore se përse udhëheqësit jugosllavë, sa do të lumtur që mund të jenë për riafrimin e tyre me Kinën, kanë qenë të rezervuar, sepse mund të thellonin akoma më tepër konfliktin e tyre me Moskën. Në deklaratat e tyre, udhëheqësit jugosllavë dhe analistët janë treguar të kujdesshëm të theksojnë ruajtjen e marrëdhënieve të mira si me Moskën ashtu edhe me Pekinin. Edhe pse deri tani përkeqësimi i fundit i marrëdhënieve mes Pekinit dhe Tiranës ka arritur në një pikë kritike, udhëheqësit jugosllavë janë përpjekur të mos ndërhyjnë, sepse druhen, pa dyshim, se një afrim mes rusëve dhe shqiptarëve mund të dobësonte pozicionin e Jugosllavisë në Ballkan, një pozicion që është ndikuar tashmë nga konflikti jugosllavo-bullgar për Maqedoninë. Në fund të fundit, kinezët në të shkuarën kanë ndryshuar mendje disa herë. Në periudhën mes viteve 1958-1979, Jugosllavia dhe Kina mbajtën dhe nuk i mbyllën ambasadat e tyre respektive, por ato nuk kishin ambasadorë, por vetëm të ngarkuar të posaçëm. Këto ishin vite kur marrëdhëniet kino-jugosllave kishin arritur në një nivel shumë të ulët. Të gjitha format e bashkëpunimit ndërshtetëror, përfshirë atë kulturor, shkencor, teknik, vizitat dhe kontaktet mes organizatave socialpolitike, ishin krejtësisht të ngrira. Nga ana tjetër, kjo mund të karakterizohet si një periudhë kur marrëdhëniet Pekin-Tiranë ishin në kulmin e tyre. Gjatë viteve të Revolucionit Kulturor (kryesisht në vitin 1967), protestat antijugosllave mbaheshin në Pekin, por në këtë kohë kundërshtimi i Mao Ce Dunit ndaj Titos buronte nga përmirësimi i marrëdhënieve të udhëheqësit jugosllavë me Moskën. Duhet të kujtohet se shumë vite më parë, protestat antijugosllave në Pekin drejtoheshin kundër qëndrimeve antisovjetike të Titos. Vizita e fundit e Titos në Kinë kishte një tjetër qasje. Pritja entuziaste që iu bë Titos tregoi se pasardhësit e Maos e vlerësonin Jugosllavinë si një vend shumë të vlefshëm socialist. Ska dyshim se qëllimi kryesor i vizitës së Hua Kuo Fenit është ti japë një frymë të re pavarësisë së politikës së jashtme jugosllave, jo vetëm gjatë periudhës titiste, por edhe pasi ai të zhduket nga skena politike.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010