Reagimi i Greqisë Kufiri detar, Athina i kërkon shpjegime Tiranës
Autori i Lajmit: S. TopiAthina zyrtare ka reaguar pasditen e djeshme ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që anulon marrëveshjen kufitare me Greqinë, duke deklaruar se është shumë e shqetësuar. Numri dy i diplomacisë greke, Dimitris Drucas, ka deklaruar se do të kërkojë sqarime nga Qeveria shqiptare për këtë vendim. “Ky është një zhvillim që nuk na bën të lidhur. Jemi të shqetësuar për këtë situatë dhe në pritje të sqarimeve të këtij vendimi. Ne nuk mund të komentojmë vendimet e gjykatave, por presim nga pala shqiptare që të vendosë një zgjidhje të çështjes”,- ka pohuar Drucas.
Ai ka shtuar me tej se do të takohet me homologun shqiptar, Ilir Meta, për daljen nga kjo situatë. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin e marrë ditën e martë për anulimin e marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë. Sipas saj, marrëveshja ka shkelje procedurale dhe substanciale. Në ditët në vijim pritet zbardhja e plotë e arsyetimit të Kushtetueses.
Vendimi
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njofton se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese. Sipas kësaj gjykate, “në projektmarrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982”. “Vendimi i arsyetuar i kësaj Gjykate do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër të përshtatshme, - thuhet më tej në njoftim. Partia Socialiste kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes dhe rinegocim për të. Pretendimet e kësaj force politike u paraqitën gjatë seancës së 8 dhjetorit ku u gjykua kërkesa ankimore e PS-së për marrëveshjen në fjalë. Nga ana tjetër, palët e interesuara në këtë çështje, Kuvendi dhe qeveria, gjatë seancës që zgjati mbi shtatë orë kërkuan rrëzimin e kërkesës. Përfaqësuesja e qeverisë, Marsida Xhaferllari, i cilësoi pretendimet e subjektit kërkues të pabazuara në prova. Ndërsa përfaqësuesi i Kuvendit, Lulzim Lelçaj, e cilësoi PS-në si subjekt jolegjitim për ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Debatet janë zhvilluar mes Zaganjorit dhe Gervenjit, ku sipas anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, marrëveshja i jep shelf kontinental Greqisë, pretendim që u hodh poshtë nga Gervenji. Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, ish-ushtarakë të lartë, diplomatë, juristë e historianë e kanë kundërshtuar me forcë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që sipas tyre shkel hapur sovranitetin territorial të vendit tonë me afërsisht 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010