Gjimnazet, vlerësimi do të bëhet me kredite
Autori i Lajmit: Entela DurajGjimnazet pritet të aplikojnë një sistem të ri vlerësimi për nxënësit. Skema e re e cila momentalisht po diskutohet nga specialistë të arsimit do të bazohet në kredite, një model në dukje i ngjashëm me mënyrën e vlerësimit në universitete. Drejtoresha e gjimnazit “Partizani” në kryeqytet Luljeta Basha (e cila është edhe ideatore e kësaj skeme) shpjegon se lëndët me zgjedhje (në klasën e 10-të) do të shoqërohen me kredite, të cilat nëse nuk merren deri në vitin e fundit të shkollës së mesme, nxënësi penalizohet deri në përjashtimin nga provimet e maturës, çka rrezikon më tej edhe të drejtën për të konkuruar në universitet. Po sipas skemës së re pjesën më të madhe të vlerësimit të nxënësve do ta zënë provimet dhe mungesat. Ndërkohë ata që preken direkt nga ky ndryshim, gjimnazistët duket se nuk janë dakord me skemën e re. Dy ditë më parë një grup nxënësish të gjimnazit “Qemal Stafa” kanë protestuar kundër mënyrës së re të vlerësimit të dijeve të tyre. Një udhëzim i posaçëm që ka mbërritur në drejtoritë e gjimanzeve , i lejon drejtuesit e tyre ta përdorin këtë sistem të ri vlerësimi, por deri më tani ai nuk ka filluar të zbatohet. “Vlerësimi me mesatare të ponderuar (skema e re) është një vlerëim shumë më real se me mesatare aritmetike. Unë jam dakort që të zbatohet që këtë vit” tha Basha. Për të korrigjuar njohuritë e nxënësve o të merren parasysh katër komponentë. Peshën më të madhe do ta kenë provimet me shkrim të lëndës që do të përbëjnë 50% të notës përfundimtare. Veç tyre jo mjaft i rëndësishëm do të jetë edhe provimi në fund të semestrit i cili zë 25% të notës. Por që një nxënës të marrë notën maksimale është e domosdoshme që të kryejë punime vetjake dhe përvetësimi ditor i njohurive. Sipas burimeve nga drejtoria arsimore e kryeqytetit tashmë janë shpërndarë udhëzuesit që mësuesit do të duhet të përdorin në mbyllje të semestrit për nxjerrjen e notave përfundimtare të secilës lëndë. Konkretisht, përdorimi i kushteve të reja të vlerësimit do të zbatohet duke filluar nga ky vit te nxënësit e viteve të para. Treguesi i vlerësimit të punimeve dhe projekteve, do të mbështet në punën në grup apo individuale që nxënësit kanë zhvilluar për tema të veçanta mësimore të përcaktuara nga mësuesi i lëndës. Nga sa përcaktohet edhe në udhëzim brenda muajit janar mësuesit e lëndëve përkatëse duhet të zhvillojnë provimin përfundimtar të testimit të njohurive të nxënësit. Rezultatet do të përdoren më pas në nxjerrjen e notës përfundimtare. Nota mesatare do të llogaritet me dy shifra pas presjes dhjetore. Pas përcaktimit të notës mesatare për secilin tregues, mbledhja e rezultateve do të nxjerrë dhe notën përfundimtare, me të cilën do të vlerësohet nxënësi për këtë semestër. Ndërkohë që rezultatet e nxjerra nga mësuesit do të kontrollohen edhe nga ekspertët e drejtorive arsimore. Meqë zbatimi i skemës së re të vlerësimit të nxënësve kërkon kohë, është propozuar që në mbyllje të semestrit, mësuesve tu jepen tri ditë pushim, në mënyrë që të llogaritin këta tregues për secilin nxënës.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010