E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna, nxitje nën petkun e luftës antikorrupsion

Ministrja e Shëndetësisë, Godo, dënon dhunën ndaj mjekëve, dhe e cilëson agresion frymë të fushatës së fundit të arrestimeve

Mjeku Ylli, jashtë rrezikut për jetën. Dje është vizituar nga deputetë të Kuvendit, të cilët kanë bërë apel pro bluzave të bardha

Plagosja e mjekut endokrinolog, Agron Ylli, ka sjellë reagimin e fuqishëm jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe të aktorëve politikë, të cilët kanë dënuar fuqishëm njëzëri ushtrimin e akteve të dhunës ndaj mjekëve në përgjithësi. Më herët, megjithëse në ditë zyrtare pushimi, ka reaguar fillimisht ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ka kërkuar ndihmën e të gjithë shoqërisë dhe të masmedias në veçanti, për të ndalur fenomenin e goditjes ndaj mjekëve. Në deklaratën e saj për shtyp, ministrja Godo e ka cilësuar mjekun e plagosur, Agron Ylli, si njeri të mençur, punëtor dhe të pakorruptuar, që i ka shërbyer me devotshmëri profesionit të mjekut. Numri një i shëndetësisë ka kujtuar se rasti i mjekut Ylli është i treti në këtë vit, pas plagosjes në të po të njëjtat rrethana të kardiokirurgut Ali Refatllari në QSUT, dhe goditjes së njërës prej mjekeve neurologe në spitalin e Vlorës. “E vizitova mjekun Ylli dhe më duhet të konstatoj me kënaqësi se gjendja e tij shëndetësore është mirë. Gjithsesi, rreziku është i pranishëm, për shkak të arteries së çarë nga agresioni”,- ka qartësuar Godo gjendjen shëndetësore të mjekut të plagosur. Më tej, kreu i shëndetësisë ka kërkuar më shumë respekt ndaj mjekëve, dhe kjo jo për lëmoshë ndaj tyre, por për kontributin që ata japin në punë. “Deri më tani nuk kemi parë asnjë mjek të lavdërohet për punën që ai bën. Ka shumë prej bluzave të bardha që e gdhijnë te i sëmuri. Për këtë arsye ftojmë politikën, si edhe qytetarët, të na mbështesin e të denoncojnë agresionin”. Ministrja Godo nuk e ka mohuar se në radhët e mjekëve ka edhe të korruptuar, apo bluza të bardha, të cilat nuk kryejnë shërbime ndaj pacientëve nëse nuk u mbush xhepat me para. “Ne jemi koshientë që ka mungesa në spital dhe mangësi në shërbim, por kemi mbështetjen e Kryeministrit për përmirësimin e situatës”. Zonja Godo e ka lidhur agresionin ndaj mjekëve me fushatën e fundit të ndërmarrë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila në pak muaj ka çuar për ndjekje penale katër mjekë, me akuzën për korrupsion dhe mungesë shërbimi ndaj pacientëve. Madje, parë në një kontekst më të gjerë, deklarata e ministres së Shëndetësisë vjen si shuplakë drejt organit të Prokurorisë. “Të gjitha rastet e dhunës, përveç se një gjendje e rënduar psikike e agresorit, janë më shumë se një zemëratë apo fyerje, një nxitje e qëllimshme drejt bluzave të bardha nën petkun e luftës kundër korrupsionit. Nuk e vë në dyshim që ka korruspion tek mjekë të veçantë që abuzojnë”. Në fund të deklaratës, ministrja e Shëndetësisë ka ftuar të gjithë pacientët, të cilët konstatojnë shkelje nga bluzat e bardha, të kryejnë denoncimin pranë instancave përkatëse dhe jo të zgjedhin formën e vetëgjyqësisë. “Unë ftoj pacientët të bëjnë denoncime. Por duhet të bëjmë çmos të ndreqim raportin pacient-mjek, pasi po shohim se mjeku po shihet vetëm si vjedhës i parave të tyre dhe jo si njeriu që i shpëton jetën”, - ka përfunduar mesazhin Godo, drejtuar qytetarëve.

Deputeti Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Grupit Kuvendor të PS-së, Valentina Leskaj, vizituan mjekun e palgosur Ylli

Ruçi “Mazhoranca të ndalë diskriminimin ndaj shëndetësisë”

Mjeku i plagosur, Agron Ylli, është vizituar mëngjesin e djeshëm nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, si dhe Kryetarja e Grupit Kuvendor të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj. Zoti Ruçi u shpreh për mediat se është koha për t'u ofruar mbështetje e solidaritet njerëzor gjithë bluzave të bardha. “Goditja e bluzave të bardha po kthehet në një fenomen shumë shqetësues për të gjithë. Jemi këtu edhe për t'u ofruar gjithë solidaritetin tonë, moral dhe politik, bluzave të bardha, këtyre bluzave të bardha që, sa herë si qytetarët e ndiejnë veten në vështirësi shëndetësore, i puthin duart e tyre dhe sa herë shërohemi, i nxijmë këto bluza me anatemimet e padrejta që u bëjmë duarve të arta të tyre”. Më tej, në deklaratën e tij për media, deputeti Ruçi i ka bërë apel mazhorancës të heqë dorë nga politikat diskriminuese ndaj sektorit shëndetësor. “Jemi këtu të apelojmë edhe ndaj maxhorancës aktuale, ndaj politikave diskriminuese të sektorit të shëndetësisë nga qeveria aktuale dhe jo vetëm kaq, por nuk është rastësi që në kulmin e korrupsionit qeveritar, ku qeverinë aktuale ai e ka kapur prej fyti, ajo nxjerr dufin, duke ndaluar e duke anatemuar bluzat e bardha. Është koha që e gjithë politika dhe e gjithë shoqëria të vihet në mbështetje moralisht, politikisht dhe institucionalisht të bluzave të bardha, për të cilat ajo ka kaq shumë nevojë”, - përfundoi Ruçi

PDK “Shteti nuk po ndihmon Shëndetësinë”

Në të njëjtën linjë me aktorët e tjerë politikë ka qenë edhe Partia Demokristiane. Në deklaratën e saj për shtyp, partia e drejtuar nga Ndoka, ka dënuar agresionin ndaj mjekëve dhe ka kërkuar reforma thelbësore në Shëndetësi. Kjo parti ka akuzuar shtetin si përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar.

“Nuk ka asnjë dyshim se kur në një shtet dhe shoqëri sulmohen me armë mjekët, kemi të bëjmë me një krizë të thellë morale dhe të sigurisë publike”, - citohet në deklaratë. PDK-ja ka sulmuar drejtpërdrejt Ministrinë e Shëndetësisë, duke e cilësuar atë të paaftë për të menaxhuar situatën. “Kohë më parë, një mjek u godit në QSUT, ndërsa një tjetër mjek i shpëtoi vdekjes në Vlorë. Raste të tilla ka pasur në Tropojë, Korçë, Librazhd, Elbasan, etj., por deri tani reagimi zyrtar i institucioneve të ngarkuara nga ligji, siç janë Ministria e Shëndetësisë, qeveria, organet e hetimit dhe të gjykimit, kanë qenë formale. Këto institucione, më shumë kohë harxhojnë të kontrollojnë dhe selektojnë lajmet në media, apo të bëjnë emërime-shkarkime me motive të pastra politike, sesa të merren realisht me detyrën që u ngarkon ligji dhe kushtetuta”,- thuhet në deklaratë.

Berisha “Dënim maksimal për agresorin”

Plagosja e mjekut endokrinolog, Agron Ylli, ka sjellë edhe reagimin e Kryeministrit Sali Berisha. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kreu i qeverisë ka dënuar aktin e dhunës ndaj mjekut dhe ka kërkuar nga instancat përgjegjëse vendimin më të ashpër ndaj agresorit. Viti 2008 mund të cilësohet si më kobziu për mjekët shqiptarë, të cilët kanë provuar si dhunën verbale dhe fizike të pacientëve, ashtu edhe prangat e sektorit të Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët këtë vit, si kurrë më parë, kanë kryer ndalime të bujshme në radhët e bluzave të bardha. Agresioni i parë ndaj mjekëve u shënua në muajin mars të këtij viti. Ali Refatllari, Shef i Repartit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare, u qëllua me thikë në korridorin e pavijonit, vetëm pak metra larg zyrës së tij. Për fat të mirë, kirurgu Refatllari nuk pati pasoja për jetën. Dy muaj më pas, vjen edhe akuza e parë ndaj bluzave të bardha. Mjeku Xhevahir Hoxhallari u akuzua për operim të pakujdesshëm, me pasojë e humbjen e jetës së pacientes të tij, Matilda Petriti. Në muajin gusht, sektori i Krimit Ekonomik dhe Krimit ndaj Shëndetit, ndalon në zyrën e tij të punës, mjekun Kastriot Dautaj, me akuzën për mitmarrje. Dy rastet e fundit të vëna në akuzë për korrupsion, janë ato të mjekëve Ardian Nelaj dhe kirurgut onkolog, Agim Karaj, të cilët janë në pritje të gjykimit. Rasti i fundit i dhunës dhe që mbyll vitin në vazhdim, është ai i mjekut Agron Ylli, i cili u plagos për shkak se nuk plotësoi fletë KEMP-i.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›