Bush: Edhe administrata e re amerikane do ta mbështesë Afganistanin
Presidenti Bush i ka thënë homologut të tij afgan, Hamid Karzai, se është i sigurtë që administrata e re në Uashington do ta mbështesë Afganistanin. Duke folur në Kabul, zoti Bush tha se ishte në interesin e SHBA-ve që ta vazhdonin luftën kundër talebanëve:"Nuk diskutohet që talabanët duan të kundërpërgjigjen. Ata e bëjnë këtë sepse duan të rimarrin pushtetin. Ata nuk e durojnë dot idenë e një shoqërie të lirë, ndaj edhe duan të shkaktojnë vdekje. Por a mos ngase ata janë të fortë, ne duhet të tërhiqemi, sepse detyra jonë është e vështirë? Unë nuk mendoj kështu. Unë mendoj se është një detyrë që duhet kryer. Në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara është të mos lejojmë që Afganistani të bëhet vend i sigurtë për al-Qaeda-n", tha presidenti Bush.
Ndërsa presidenti afgan, Karzai tha se vendi i tij ende kishte nevojë për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar:
"Afganistani është i vendosur të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar deri sa ta kemi mposhtur terrorizmin dhe ekstremizmin, si dhe kërcënimet që burojnë prej tyre. Ne u kërkojmë fqinjëve tanë dhe vendeve të tjera të botës të mos na braktisin para se të jemi në gjendje të ngrihemi në këmbë, para se të mund ta mbrojmë vetë vendin tonë", tha presidenti afgan, Hamid Karzai.
Presidenti Bush tha se i uronte sukses strategjisë së presidentit të sapozgjedhur, Barack Obama, i cili ka premtuar dërgimin e më shumë trupave në Afganistan.
Vizita e papritur e zotit Bush në Afganistan pasoi qëndrimin e tij të shkurtër në Irak. Ky është udhëtimi i fundit i zotit Bush para se ai t'ia dorëzojë presidencën e Shteteve të Bashkuara zotit Barack Obama më 20 janar.