Trëndafili i dimrit
“Trëndafili i Dimrit” është një libër që përmbledh krijime nga autorë të shquar të letërsisë italiane si nobelistët Pirandello, Deledda, apo të tjerë si Pascoli, De Amicis... Hartuesja e tij, studiuesja dhe kritikja letrare Iskra Thoma e ka titulluar “Trëndafili i dimrit”, nisur nga sugjerimi i shkrimtares dhe fotografes së njohur modeneze, Rosalba Caffo Dallari, e cila i ka krahasuar tregimet e kësaj përmbledhjeje me petalet e një trëndafili dimri – simbol i dashurisë mbledhur në brymën dimërore.
Iskra Thoma ndodhet larg Shqipërisë. Si studiuese letrare vihet në kërkim të gjurmëve të veprave të shquara, që e ndihmojnë të kuptojë atë që edhe pse e ndryshme, lidhet me mentalitetin e kohës dhe të mjedisit. Ajo ka dashur të bëjë një zgjedhje të studiuar të atyre krijimeve që rezonojnë në një farë mënyrë edhe me problematikën dhe ndjesitë shqiptare. Qëllimi i saj, duke ofruar këtë përmbledhje, punuar me shumë kujdes si në përmbajtje (përkthim e pajisje me shënime) por edhe në pasurimin me fotografi, është që të bëjë të njohura për lexuesit shqiptarë aspekte letrare të këtyrë shkrimtarëve të mëdhenj të pazbuluara më parë për të. Dhe kështu përkthen e nënvizon, shpjegon atje ku mendon që fjala mungon ose nuk përshtatet aq mirë në shqip, duke sjellë një vepër me qëllime jo tregtare.
Kjo përmbledhje, siç e quan Dallari (autorja e kopertinës dhe e parathënies së librit), është një “libër-dhuratë” që i përket letërsisë së vërtetë, që trasmeton traditat dhe zakonet e një populli, një letërsi që të emocionon.
Sentimente të bukura, gabime, faje, ngjarje tragjike, keqardhje, vrasje ndërgjegjeje që mpleksen me streset e krijuara nga shkëputja prej jetës së mëparshme në kërkim të harmonisë e të paqes.
Ngrohtësia dhe drita e vatrës ku digjet kërcuri, tavolina e mbushur plot e përplot, shkëmbimi i dhuratave kontrastojnë simbolikisht me të ftohtin dhe errësirën, me vuajtjet e vetmisë, me vështirësitë e mëdha të jetës që duken sikur janë të mbuluara nga bardhësia e borës që izolon e fsheh. Çdo autor duke pasur një mënyrë të veçantë të shkruari, paraqet një mjedis të ndryshëm, por pengesat, tensionet, aspiratat njerëzore, të ndjera nga lexuesi janë të njëjta kudo, këtej e përtej detit.
Në tregimet – novela të librit (botuar nga Shblsh e Re), përshkruhen e përfytyrohen me ngjyra të gjalla ngjarjet dhe ambientet festive, jepet një gamë e gjerë problemesh shoqërore edhe pse tematika e tyre i përket fundit të tetëqindës.
Mund të quhet një iniciativë jo e thjeshtë e Iskra Thomës për të shqipëruar prozën poetikë të Pascolit, apo të dramaturgut dhe mjeshtrit të fjalës Pirandello, shkrimtarit të madh De Amicis etj. Studiuesja e botuesja e poezisë, dramës dhe kritikës letrare për më se 20 vjet, në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, e cila jeton prej shumë vitesh në Itali, i ka kushtuar kohë jo vetëm zgjedhjes së krijimtarisë së autorëve, por edhe njohjes së traditave, pa të cilën do të ishin të vështira këto përkthime. Duke qënë përmbledhje autorësh të ndryshëm vështirësia e njohjes së individualiteteve të veçantë, e stileve të ndryshëm dhe pastaj e përkthimit ka qënë mjaft e madhe, por Thoma duke qënë edhe njohëse e mirë e gjuhës shqipe i ka përballuar me sukses. “Pasuria e madhe leksikore, e shprehjeve frazeologjike dhe prdorimi i mjaft dialektalizmave në këto novela - tregime m kan
q t’i rishikoj e t’i konsultoj edhe me shkrimtar e specialist t gjuhs italiane”, - thotë ajo në hyrjen e librit.
Ne i lexojmë këto tregime me kënaqësi, duke u tërhequr nga gëzimet, pasionet, përshkrimet, duke ndjerë dramat, dhimbjet, tronditjet e forta psikologjike dhe harrojmë se po lexojmë. Rrëmbehemi nga skenat që i përfytyrojmë si zhvillohen para syve tanë si në një film. Pikërisht këtu qëndron edhe suksesi i një vepre letrare dhe i një përkthimi që lexuesi të zhytet në ngjarjet, përshkrimet, pa e lodhur fjala, pa e penguar frazeologjia, pa u mërzitur. Duke i përpunuar në laboratorin krijues, duke u futur në petkun e çdo shkrimtari ajo mundohet të jetë e natyrshme, të gjejë fjalën e shprehjen koresponduese në gjuhën shqipe gjithmonë duke i qëndruar besnike origjinalit.
Disa prej autorëve të përmbledhjes vijnë për herë të parë në gjuhën shqipe si figurat e shquara të letërsisë e kulturës italiane Diego Angeli, shkrimtar i këndshëm e përkthyes i veprës së Shekspirit në italisht e Ugo Fleres; shkrimtaret e shquara si Marchesa Colombi e Contessa Lara të dalluara edhe si luftëtare për emancipimin e gruas. Për këtë arsye libri është pasuruar edhe me të dhëna biografike të autorëve si dhe me ndonjë shënim në ndihmë të lexuesit.
Ky libër jo vetëm pasuron bibliotekën shqiptare për vlerat artistike dhe edukative që mbart, po mund të merret në konsideratë nga hartuesit e programeve mësimore për të hyrë në tekstet, antologjitë apo listën e librave të leximeve jashtë shkollore. Cmimi simbolik i librit (500 lekë) ka bërë që autorja me të drejtë ta quajë “libër-dhuratë”, është ndihma që ajo dëshiron dhe shpreson t’i japë kulturës së vendit të saj.