E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Vera Zheji

Zëri i përrallave në Radio Tirana kthehet në studion e rregjistrimit. Vera Zheji për jetën dhe profesionin, për pasionin e papërmbushur dhe nevojën për të mbijetuar. Hija politike mbi të atin dhe familjen Zheji. Në 75-vjetor: e huaj në Shqipëri, e huaj në vendin e emigrimit. “Këtu nuk shkon proverbi më mirë vonë se kurrë.”

Si çdo moshatar që është 75 vjeç falenderon Zotin që është akoma në këmbë, por pyetja që hap shtegun e bisedës mes dy njerëzve të panjohur, Vera Zhejit nuk i hyn në sy: “Hollësira s’kam pse të jap.”

Regjistruesi e bezdis, por nuk thotë ma hiq sysh. Bën një gjest pakënaqësie si t’i kenë vënë para një lule dimri pa erë. Kafsha e vogël teknologjike dhe pyetja në vazhdim për festën e 70 vjetorit të Radios Tiranës, nuk janë ndjesore.

Ekrani i televizorit nxin. Grilat mbulojnë më shumë se gjysmën e ballkonit. Zhurma e mbytur e çajit zgjat pak minuta. Dhoma është e ngrohtë sa një frymë njeriu. Kjo shtëpi në pellgun e lagjeve që lidhen nga Rruga “Komuna e Parisit”, është një apartament me shumë dhoma. “Shtëpi beqari” e quan e zonja, e cila kur nuk ndodhet në Gjermani tek e bija, kalon këtu, vetëm, pjesën tjetër të vitit.

Vera Zheji a më mirë me thënë “Zonja Zëri”.

Ai zë që ka mespërmes kraharorit efektin e dhjetë filxhanëve të nxehtë me çaj që mund të mbysin helmet e një dite të rrugëve të Tiranës. Është po ai zë.

Gjysma e jetës njeriut i ikën duke kujtuar sendet që ka përdorur, vendet ku ka qenë, njerëzit që ka takuar, zërat që ka dëgjuar. Në këtë pikë i ngjajmë pak reptilëve që deri sa të plakemi e lëmë lëkurën dherave dhe ferrave disa herë.

Kështu pra, pyetja për përshtypjet nga 70- vjetori i Radio Tiranës, i duket një pyetje enciklopedike, aspak ndjesore. Në qoftë se Radio Tirana ka bërë 70 vjet dhe këtë themelim e ka më 1938-ën, ajo, “Zëri”, ka 60 vjetorin e fillimit të punës në atë Radio. “Në atë periudhë kaloi jeta, kaloi adoleshenca, kaloi rinia, kaluan të gjitha, të gjitha, të gjitha. Edhe sot, jam aq sa dukem.”

Më 12 shkurt 1948 hyri të punojë në Radion kombëtare. U bë një konkurs i shkollave të mesme. Atëkohë nuk mund të futej në mikrofon kushdo, qoftë “nga ana profesionale po edhe nga ana e seleksionimit natyral”. Ishte turmë e madhe. Vera lexoi një fragment nga libri i historisë, revolucionet e 1848-ës në Evropë. Dhe karshi saj ishte një inxhinier italian që punonte akoma në Shqipëri dhe 2-3 të tjerë që e dëgjonin thanë: kjo vajza ka zë të mirë. Në gjithë atë turmë fitoi.

Transmetimi ishte direkt, atëherë nuk kishte rregjistrime. Lexoi një fragment për një heroinë të Bashkimit Sovjetik. Në studio e dëgjonte edhe spikerja e parë e Shqipërisë Kaliopi Nushi. Edhe ajo i dha kënaqësi tek i thoshte bravo, bravo, e lexove mirë.

Që nga ajo ditë u bë spikere në Radio Tirana. Emisionet e saj të para kanë qenë emisionet e rinisë. Kaq.

Po pasioni? Kur u përmend pasionin artistëve shqiptarë, përgjigjet janë hipokrite, sidomos kur të intervistuarat janë femra. Zonja Zëri sikur t’i kishe nxjerrë para syve një fustan ngjyrë portokall dhe një kapele me pendë palloi, ia preu: “Asnjë pasion nuk ishte. Ishte nevoja për të ngrënë bukë. Pasioni im ka qenë teatri, të cilin nuk e realizova dot kurrë. Dhe në rast se unë, me sa duket jam bërë spikere e mirë, derisa populli më respekton – i detyrohem shumë popullit tim – u bëra në sajë të atij pasioni që kisha për t’u bërë aktore. Por ti je vajzë e re, nuk e kupton dot seleksionimin natyral të asaj kohe. Në qoftë se në radio unë isha e domosdoshme, se kështu thoshin, - nuk ka njeri të pazëvendësueshëm po të domosdoshëm - në teatër nuk isha kaq e domosdoshme. Kishte njerëz të tjerë, aktore të tjera.”

Pastaj brenda punës, emisione të ndryshme që i formoi ajo, Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, u bënë në sajë të mënyrës unikale të të lexuarit jo vetëm për lajme, por dhe për gjëra kulturore. I kujtohet si të ishte dje, kur lëshonte tërë veten tek autorët, tek personazhet, tek bota e përrallave, te zogu, te pula, te gjeli, te macja, te qeni, dhe e gjente veten më rehat. “Isha më e lirë në krijimtarinë time”.

Se në fund të fundit, për Vera Zhejin spikerllëku është krijimtari dhe është një krijimtari e vështirë. “Në radhë të parë të jesh spikere duhet të kesh një dhunti natyrale - kryesorja është zëri. Atë ta jep Zoti. E dyta duhet të kesh një nivel kulturor, patjetër. Kur del në mikrofon duhet të respektosh qoftë dhe një dëgjues të vetëm. Jo të flasësh për veten por të flasësh për atë. Rëndësi ka që të transmetosh me saktësi atë që të japin përpara dhe me qartësinë më të madhe të të folurit. Çdo fjalë brenda fjalisë ka të drejtë të jetojë.”

Ajo mendon se ka ardhur momenti që të ketë një shkollë për të folurin e mikrofonit. Kush do kishte veshë për këshillën e Vera Zhejit do të përmbushte një detyrë publike, qoftë edhe i shtyrë nga nostalgjia e pasditeve të njëherë e një kohe me zërin në mikrofon: “Fëmijë të dashur po fillojmë përrallëzën tuaj.” Me siguri çdo i vogël, 20 a 30 vjet përpara, do të ketë ndjerë sikur zëri t’i drejtohej atij vetëm: “Fëmijë i dashur po filloj përrallëzën tënde.”

Pak më para gruaja kishte përdorur termin “selektim natyral”. Pavarësisht se nuk ka përmendur asnjë herë deri në atë moment, emrat Enver, Nexhmije, Mehmet, Ramiz, Byro, burg politik, disidencë, diktaturë etj., fjalë të diskursit për dosje dhe spiunë, Vera Zheji e quan “racizëm brenda racës, racizëm brenda të bardhëve” çfarë ndodhi për 45 vjet në historinë e shqiptarëve të udhëhequr nga kreu politik njëpartiak dhe ateist.

Ka njerëz që e dinë dhe të tjerë që nuk e dinë se familja Zheji nga Zagoria, ka qenë “e seleksionuar”. Megjithë kontributin që kanë dhënë në kulturë Zhejët, Vera, Gjergj dhe padyshim Petro Zheji, kanë pasur mbi krye hijen politike të të atit.

Spiro Zheji kishte kryer Akademinë Ushtarake në Itali, shërbeu oficer në periudhën zogiste, u internua nga italianët me gjithë familjen, u kthye prapë në Shqipëri, ndërsa pushteti popullor vinte nga ana tjetër.

Në momente të vështira politike, ajo kujton se ka pasur në radio një ëngjëll mbrojtës. Ishte Petro Kita drejtori i parë i Radio Tiranës, njeriu që u bë sebep ta mbanin Verën në atë punë që të mos përfundonte arsimtare fshatrave.

Në një nga dy momentet kritike për RTSH, artin dhe kulturën në tërësi, vitet 1972 dhe 1975, Vera Zheji lë përfundimisht Radion dhe falë miratimit të drejtoreshësNefo Myftiu, që e kujton me respekt, kaloi pedagoge e fjalës artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.

Punoi në shfaqjen “Banja” të Majakovskit që përgatiti Kujtim Spahivogli në teatrin brenda Institutit, shfaqje që u dënua, ndërsa fati i Spahivoglit mori rrokullimën.

Pas viteve nëntëdhjetë emigroi në Greqi. Ndjente një borxh ndaj të ardhmes së të bijës, Lea Plumbit, të cilën si mbesë e Spiro Zhejit, në vitin 1982 e kishin transferuar në Gramsh.

Me iniciativën e saj ka seleksionuar 60 përralla dhe ka pak javë që ka nisur rregjistrimin në Radio Tirana. “E ndjeva për detyrë sa s’më kanë lënë akoma sytë, zëri, zemra.” Përralla dhe fabula nga Naim Frashëri, përshtatje nga La Fonteni edhe prej Çajupit, prej Nonda Bulkës, mësuesi i saj. Janë një dhuratë edhe për Nadia Frenzke, mbesën e saj 12-vjeçare që jeton në Gjermani.

Ndoshta do të realizojë një mbrëmje poetike me poezi dikur të ndaluara të Fishtës, një kryevepër si “Gjuha shqipe” që asnjëherë nuk mundi ta lexojë me studentët.

Në këtë fund jete do kishte dashur pak ekonomi që bashkë me 5-6 kolegë si Robert Ndrenika të hapte një teatër privat për të lëvruar mjeshtërinë e aktorit, e nëse do të kishte guxim, të luante njëherë Mëmën Kurazhë të Brehtit dhe nënën e Hamletit, mbretëreshën fatkeqe Gertrudë, role të zemrës. Por ja që do të kujtohet edhe si Sanda e qethur shkurt, njëlloj si sot, në komedinë “Shi në plazh”, rol që i shërbeu si një lloj pasaporte.

Prapë po të kishte kurajë do të shkruante “Jeta ime në mikrofon” ku do të fliste për atë profesion që ka bërë më gjatë në jetë, një punë që në Shqipërinë e asaj kohe kishte një raport të fortë politik, do të fliste edhe për ata kolegë të dashur, “reaksionarë të mëdhenj” si Haki Bejleri, apo si ajo vetë, Vera Zheji.

Duke zgjedhur fotografinë për të ilustruar këtë rrëfim, tregoi një detaj të cilin s’ka për ta harruar. Ndërsa ecte në një lagje të Athinës pa të shpëndarë rreth një kazani plehërash me dhjetëra fotografi. Dikush i kishte hedhur.

Duart e të dyjave tërhoqën këtë foto të Vera Zhejit në moshë të njomë. Është ulur tek shkallët e shtëpisë para se t’i shpërngulnin prej andej, prej vendit që do të bëhej Bllok. Kjo është Vera para se të vinte pushteti popullor.

“Dhe tani mos më pyesni cilat janë aspetativat tuaja e të tjera si këto... Ky tranzicion është shumë i vështirë. E ndjej veten të huaj këtu, e huaj në Greqi, e huaj në Gjermani. Këtu nuk shkon proverbi, më mirë vonë se kurrë.”

Pas disa ditësh mund të largohet nga Shqipëria. Viti i Ri nuk e gjen në shtëpinë e beqarit. Njoftimi në shkallën e apartamentit të saj, sikur të jetë një rregjistrim me zë i saj, tërheq vëmendjen ndaj ashensorit: dera të preket lehtë, mos përdorni forcë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›