Dhunë te Gramozi-Skënderbeu, ndeshja nuk përfundon
Ka ndodhur gjithçka në stadiumin e Ersekës në ndeshjen derbi mes Gramozit dhe Skënderbeut e cila ka degjeneruar në dhunë dhe nuk ka përfunduar dot. Ka qenë minuta e 75-të e ndeshjes kur tifozët vendas kanë hedhur gurë dhe sende të forta në fushën e lojës dhe kanë goditur në këmbë gjyqtarin e takimit Artan Taullau dhe në qafe anësorin Redi Avdo.Në atë moment rezultati ishte një me zero në favor të skuadrës së Skënderbeut e cila kishte kaluar në avantazh që në minutën e parë të takimit me anë të golit të Milaim Guerrib.Tifozët e shumta kolonjarë që kishin mbushur shkallët e stadiumit si asnjëherë tjetër janë irritur shumë nga vendimet e gjyqtarëve dhe 15 minuta nga fundi kanë arritur kulmin duke shpërthyer dhe duke goditur me gurë xhaketat e zeza. Anësori Avdo ka tentuar të kthehet sërish te vendi i tij po ashtu edhe Taullau ka bërë me shenjë që loja të vazhdojë, por ka qenë e pamundur. Fakt interesant është se braziliani Dos Santos ka tentuar më shumë se të gjithë të qetësojë tifozët dhe t'i rikthejë mendimin gjyqtarëve të cilën janë futur në dhomat e zhveshjes për të mos dalë më që andej. Pas më shumë se 15 minutash gjyqtari i takimit dhe vëzhguesi i Federatës Besnik Cela kanë marrë vendimin që ndeshja të mos vazhdojë më.Me shumë mundësi korçarët do të marrin tre pikët në tavolinë ndërsa Gramozin e prêt sërish ndëshkimi. Ky nuk është rasti i parë që në Ersekë ndodhin shfaqje të dhunshme pasi kanë ndodhur edhe në Gramozi-Laçi ,nuk është rasti i parë që një ndeshje nuk përfundon pasi kemi precedente me Flamurtari-Kastrioti. Dhuna është bërë bashkëudhëtare në kampionat. Tolerimet , terrenet apo vendimet arbitrare kanë ngjallur gjithmonë diskutime. Kampionati i 71-te Kombëtar mund të jetë çdo gjë tjetër veçse jo i suksesshëm.