Dhunimi i Bazes, Irgen Selfo ankim në gjykatën e Lartë
Trazhgim Sokolaj
Njëri nga tre të akuzuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Mero Baze, pikërisht Irgen Selfo, ankimon në Gjykatën e Lartë vendimin e Shkallës së Parë dhe të Apelit, që e lanë në masën e sigurisë "arrest me burg".
I vetmi person i mbetur në qeli pas ngjarjes së ndodhur tek ish-blloku më 2 nëntor 2009, ka animuar në Gjykatën e Lartë vendimet e gjykatave më të ulëta të cilat vendosën mbajtjen e tij në qeli. Seanca e shqyrtimit të padisë së tij pritet të zhvillohet më 2 dhjetor 2009. Pas dorëzimit të animimit, Gjykata e Lartë ka caktuar datën në të cilën do të zhvillojë seancën gjyqësore për shqyrtimin e ankesës. Në padinë e tij kundër vendimeve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit, avokati i Irgen Selfos mësohet se ka kërkuar prishjen e vendimeve që kanë lënë në qeli klientin e tij. Argumentimi është se masa e vendosur "burg pa afat" nuk është në proporcion me rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit dhe se ai, nuk paraqet asnjë rrezik për t`iu shmangur ndjekjes penale që po zhvillohet ndaj tij. Prokuroria ndërkohë pritet të kërkojë ashtu si në dy shkallët e tjera të gjyqësorit, edhe në Gjykatën e Lartë, mbajtjen në qeli të personit të pandehur. Irgen Selfo mbeti i vetmi person në burg i akuzuar për incidentin me gazetarin Mero Baze, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë me vendim të datës 19 nëntor 2009, vendosi lirimin nga burgu të biznesmenit Rezart Taçi dhe punonjësit të kompanisë "Taçi Oil", Bledar Lilo. Gjykata e Apelit prishi vendimet e dhëna nga Fakti për këta dy persona, duke vendosur masën "detyrim paraqitje" për Rezart Taçin dhe "arrest shtëpie" për Bledar Lilon. Ndërkohë Irgen Selfo mbeti në qeli, për shkak të dëshmive të administruara në dosje nga Prokuroria, në të cilat pretendohet se ai ka qenë personi që ka pasur përplasjen fizike drejtpërdrejt me gazetarin Mero Baze. Sipas dëshmive, biznesmeni Rezart Taçi kishte hyrë për të ndarë konfliktin, dhe për një moment kishte arritur të qetësonte situatën, por më pas, Irgen Selfo kishte qëlluar përsëri ndaj Mero Bazes. Ndërkohë që Gjykata e Lartë pritet të marrë në shqyrtim ankimimin e Irgen Selfos kundër masës "arrest me burg", vendosur ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dhe më pas edhe nga Apeli, prokuroria e kryeqytetit tha se po vazhdon hetimet për "goditjen për shkak të detyrës" ndaj gazetarit Mero Baze. Pak ditë më parë prokuroria ka thirrur vetë gazetarin, i cili është marrë në pyetje duke kthyer në dëshmi, kallëzimin e dhënë në polici më 2 nëntor 2009. Ai ka akuzuar tre të pandehurit për dhunë fizike ndaj tij, për shkak të detyrës si botues i gazetës "Tema" dhe drejtuesi i emisionit "Faktori Plus". Ndërkohë biznesmeni Rezart Taçi në deklarimet e tij për prokurorinë dhe gjykatën ka mohuar të ketë prekur me dorë gazetarin.