E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja në gjykatë për tri grabitje me armë

 

TIRANE - Prokuroria e kryeqytetit ka dërguar pak ditë më parë në gjykatë dosjen në ngarkim të dy të rinjve dhe një të mituri, të akuzuar për grabitje me armë. Sipas organit të akuzës së kryeqytetit, tre të rinjtë, arrestuar disa muaj më parë gjatë operacionit policor të koduar "Feniks 2", ishin kthyer në tmerrin e kryeqytetasve, pasi kishin kryer disa grabitje njëra pas tjetrës, ndërsa kishin mundur t'iu shpëtonin prangave të policisë. Në momentin e arrestimit të tyre, policia pohoi se edhe i mituri Sh.G., 15 vjeç, që aktualisht ndodhet mes të pandehurve, nuk ka ngurruar të marrë armën dhe të dalë për të grabitur bashkë me dy të rriturit: Bashkim Begani, 27 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe Ervin Xheladini, 20 vjeç. Në harkun kohor të pak ditëve, ata kishin realizuar tre grabitje me armë të ndodhura te Fusha e Aviacionit në periferi të kryeqytetit, si dhe në afërsi të Qendrës Tregtare "Univers", në Tiranë. Mbërritja e denoncimeve në polici, bëri që të angazhoheshin disa efektivë blu të sektorit të vjedhjeve, të cilët pas identifikimit të tre të pandehurve, organizuan një operacion të koduar "Feniks 2" për arrestimin e tyre. Në momentin e prangosjes së tre të rinjve, policia gjeti dhe sekuestroi dhe dy pushkë automatike "Model '56" dhe dy maska, me të cilat dyshohet se të dyshuarit kanë realizuar grabitjet. Të arrestuarit do të përgjigjen për veprat penale të "vjedhjes me armë" dhe "armëmbajtjes pa leje dhe municionit", në bashkëpunim. Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet që dosja në ngarkim të tyre t'i nënshtrohet procedurave të shortit elektronik në Gjykatën e Tiranës, ku do të përcaktohet gjyqtari që do e shqyrtojë atë. Pas kësaj pritet që të caktohet data e parë e procesit në ngarkim të tre të akuzuarve.                                f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›