E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dhunimi i pikës kufitare në Jarinjë, reagime në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi e ka cilësuar të dhunshme hyrjen e pjesëtarëve të “Gardës së Car Lazarit” në territorinë e Kosovës. Ndërkaq opozita ka reaguar ashpër pas dhunimit të pikës kufitare në Jarinjë, në kufirin Kosovë-Serbi, duke e quajtur hyrjen e rreth 30 pjesëtarëve të kësaj garde si shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe fyerje për shtetin e Kosovës.

“Ajo ka qenë një hyrje e dhunshme. Ne i kemi definuar çështjet me EULEX-in, se është një përgjegjësi e përbashkët e jona ndërsa kontrollimi i Hyrjes 1 dhe 31 është kompetencë ekzekutive e EULEX-it, por kjo nuk do të thotë se Policia Kufitare e Kosovës nga ka kompetenca” tha ministër i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

“Ky është një provokim i rëndë nga shteti serb ndaj Kosovës. Serbia nuk do të ndalojë së provokuari....Policia e EULEX-it dhe KFOR-i ndoshta nuk e kanë kryer si duhet punën e tyre, pasi kanë përgjejgësinë më të madhe në atë pjesë, pasi në veri policia jonë nuk ka mandat të plotë veprimi” tha nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku.

Ministri Rexhepi tha se pjestarët e Gardës së Car Llazarit do të legjitimohen para se të marrin pjesë në festën e njohur të “Vidovdanit” dhe nëse ka arsye do të arrestohen.

“Në kilometrin e katër nga hyrja 1 janë legjitimuar, janë marr masat dhe kemi dashur t’ju japim mesazhin që për festën e Vidovdanit më 28 qershor nuk do të tolerohet askush, pa u legjitimuar” tha Rexhepi.

çdo vit më 28 qershor serbët përkujtojnë në Gazimestan afër Prishtinës, Betejën e Kosovës, ngjarje që ka ndodhur në vitin 1389 dhe që serbët e quajnë edhe si “Dita e Vidovdanit”. Kremtimi i kësaj feste gjithmonë përcillet me tensione të mëdha ndëretnike për shkak të kërncënimit të grupeve radikale serbe për destabilizim të Kosovës.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›