E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohet Bashkia e Urës Vajgurore, tentohet të vidhet kadastra

11/02/2010  Thyhen dyer e dritare, bastiset dhe zyra e kryetarit. Policia gjen gjurmë
URË-VAJGURORE- Godina e Bashkisë së Urës Vajgurore ka rënë pre e grabitësve gjatë orëve të vona të natës së të martës, ndërkohë që autorët duket se kanë synuar vjedhjen e dokumenteve në zyrën e kadastrës, e cila ndodhet në një nga zyrat e kësaj bashkie në katin e dytë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të natës së të martës, por ajo nuk është bërë e ditur zyrtarisht për median vetëm në mesditën e djeshme. Vjedhjen e kanë konstatuar në orët e para të mëngjesit të 48 orëve më parë punonjësit e bashkisë, të cilët sapo kanë mbërritur në punë kanë gjetur xhama të thyer të dritareve e dyer të shqyera gati në të gjitha zyrat e këtij institucioni që në fakt i ngjante një vandalizmi. Informacioni ka mbërritur fillimisht në postën e policisë së Urës Vajgurore, godinë e cila ndodhet shumë pranë asaj të bashkisë. Por, ndonëse dy godinat ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës punonjësit e shërbimit nuk kanë arritur të konstatojnë në kohë vjedhjen, çka tregon se autorët kanë hyrë pa zhurmë në ambientet e bashkisë madje dhe në orë të përshtatshme ndoshta kur furgoni i policisë ka qenë në kontrollin rutinë në lagjet periferike të këtij qyteti. Më pas drejt institucionit vendorë të Urës Vajgurore kanë mbërritur ekspertët e policisë së Drejtorisë së Policisë Qarkut Berat, të cilët kanë kryer hetimet e para në vendin e ngjarjes duke fiksuar shumë detaje të konfirmueshme për të ndjekur më pas autorët e kësaj vjedhje. Nga konstatimet e para dyshohet se autorët kanë qenë dy ose më shumë orë në aktivitet brenda bashkisë, ndërsa dyshohet se kanë hyrë brenda saj duke kaluar më parë murrin rrethues së saj, kanë thyer një nga xhamat e dritareve të katit të dytë dhe më pas janë futur në ambientet e brendshme nga pjesa perëndimore. Në zyrën e nënkryetarit të bashkisë, nga ku dhe autorët janë futur në institucionin vendorë janë gjetur shenja që dëshmojnë se me anë të thyerjes së xhamit të dritares kanë depërtuar në ambientet e brendshme. Autorët mësohet se me anë të dhunës kanë dashur të hapin sirtarët ku mbaheshin të depozituara gjithë dokumentet e shpërndarjes së tokave të kësaj bashkie. Sipas burimeve të besueshme të policisë, pikësynim i vjedhjes mund të ketë qenë grabitja e dokumenteve në zyrën e kadastrës, gjë e cila nuk është realizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›