INSTAT: Varfëria mbërthen zonat malore
11/02/2010 Raporti tregon se në veri arrin në 26.6 për qind të popullsisë
Në Shqipëri ende një pjesë e popullsisë, kryesisht zonat malore, nuk ka kapërcyer pragun jetik. Ky fakt jepet nga të dhënat e INSTAT-it, të publikuara gjatë 2009-ës, në anketën për matjen e nivelit të jetesës. Projekti më i madh i matjes së trendit të varfërisë në Shqipëri që nga viti 2002, i financuar nga Banka Botërore dhe PNUD tregoi se krahasuar me vitin 2005, përqindja e popullsisë së varfër është ulur nga 16.2 për qind në 2005 në 13.0 për qind në 2008. Megjithatë, kjo rënie e kësaj norme është përqendruar kryesisht në zonat më të zhvilluar të vendit. Pasi ndryshe nga zona qendrore dhe bregdetare, zonat malore kanë mbetur prapa, duke zgjeruar distancën me zonat e tjera. Përqindja e të varfërve në zonat malore tregon për një ndryshim pothuajse të papërfillshëm nga 25,6 për qind në 2005-ën në 26.6 për qind në 2008-ën. Nga analiza që kanë kryer ekspertët rezulton se brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale. “Varfëria rurale në të gjitha rajonet e tjera kanë përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor, varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67 për qind më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002, dhe vetëm 14 për qind më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5 për qind më e lartë”, thuhet në raport. Kjo pasi mundësitë e jetesës së banorëve të këtyre zonave janë shumë të vështira duke pasur parasysh sasinë e pakët të tokës bujqësore, mundësitë e ulëta për punësim si dhe distancën e largët nga qytetet.
TIRANA
Kryeqyteti ynë Tirana, megjithëse shfaq nivelin më të ulët të varfërisë, nuk ka pasur reduktim të mëtejshëm të varfërisë në krahasim me vitin 2005 përkundrazi, një rritje e vogël në 8.7 për qind në 2008-ën nga 8.1 për qind në 2005-ën.
PUNESIMI
Mundësitë e punësimit si dhe ngritja e pagesave të papunësisë gjatë këtyre viteve ka bërë që një numër i madh qytetarësh të dalin nga niveli i varfërisë dhe si pasojë kjo reflektohet edhe shifrat e nxjerra nga INSTAT-i.