Dhunohet nga bashkëshorti, policia e merr në mbrojtje
DURRËS - Një 36-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, ka denoncuar në polici bashkëshortin e saj pasi e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht. B. D., 36 vjeçe, banuese në Lagjen Nr.5 të Durrësit, është paraqitur dje në ambientet e Komisariatit të Policisë ku ka denoncuar bashkëshortin e saj A. D., 44 vjeç, sipas së cilës ai e ka dhunuar në mënyrë sistematike duke e rrahur, kërcënuar, ofenduar e keqtrajtuar. Policia kreu veprimet procedurale si dhe plotësoi kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Kërcënoi me telefon një vajzë, hetohet i riu
DURRËS - Një 26-vjeçar do të ndiqet penalisht nga policia pasi kërcënoi me anë të telefonit një vajzë. A. K., 26 vjeç, lindur në Çorovodë Skrapar dhe banues në Lagjen Nr. 14, Durrës, do të ndiqet penalisht nga policia e Durrësit pasi akuzohet se ka kërcënuar me jete nëpërmjet telefonit shtetasen Sh. S. Burime nga policia thanë se mes dy të rinjve kishte nisur një sherr, i cili pasoi me kërcënime të njëanshme. Vajza denoncoi në polici telefonuesin, i cili tashmë do të hetohet për veprën penale të “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”.
Ekstradohet nga Italia 22-vjeçari, kërkohej nga policia për 2.2 gramë hashash
Ekstradohet nga Italia një 22-vjeçar i kërkuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, pasi është kapur me 2.2 gramë hashash. Donald Qose, 22 vjeç, lindur në Berat, u ekstradua dje nga Italia pasi është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat më datë 25 tetor të vitit 2007, me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ka ndodhur më 25 mars të vitit 2007 kur nga kontrolli i ushtruar nga oficerë dhe agjentë të Seksionit të Luftës kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 2.2 gramësh lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Tashmë pritet që i riu të vuajë dënimin e vendosur nga ana e Gjykatës së Beratit.
9 Janar 2010