Mashtroi per pengmarrje, i ve gjobe 5 milionë lekë te vellait
Sajon pengmarrjen, i kërkon lekë familjes për të larë kredinë; bie në pranga Bajram Ndreu, 48 vjeç, për “mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” dhe “prodhimit e shitjes së narkotikeve”. Ngjarja në fjalë është regjistruar në qytetin e Krujës, ku fillimisht ka qenë vëllai i Ndreut, E. N., që më datë 7.01.2010 ka bërë një kallëzim në polici për zhdukjen e të vëllait dhe se rreth orë 22:00 e kishin telefonuar në telefonin e shtëpisë ku “pengmarrësi” i kërkonte 500 000 lekë të rinj për ta lëshuar të gjallë pengun. Sipas denoncimit të E. N., të njëjtën kërkesë i kishin bërë dhe babait të Bajram Ndreut disa orë më parë.
Arrestimi
Sipas policisë së këtij qyteti mësohet se menjëherë pas marrjes së denoncimit ka nisur hetimi për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, të cilën fillimisht e klasifikuan si “rrëmbim personi”. Pas disa orësh kërkim dhe nga informatat e marra, Policia e Krujës, rreth orës 22:00 të së enjtes, ushtroi një kontroll në një kasolle në fshatin Picrragë të këtij qyteti. Fillimisht ata kanë vërejtur se dera e saj ishte e mbyllur nga brenda, por pas disa thirrjeve, dera është hapur nga vetë Bajram Ndreu. Policia njofton se gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kasolle u gjetën dhe u sekuestruan 2 aparate telefoni celular, 22 fishekë, 3 kallëpe tritoli, 5 metra fitil zjarrpërcjellës dhe 100 gramë farë Cannabis sativa.
Arsyet e “rrëmbimit”
Nga hetimet e kryera nga ana e policisë dhe grupit hetimor ka rezultuar se mesazhet telefonike dhe telefonatat janë kryer nga vetë Ndreu. Këtë gjë e ka pranuar dhe ai pas arrestimit, duke shtuar se qëllimi i sajesës së këtij rrëmbimi ishte përfitimi i shumës për shlyerjen e një kredie bankare.
I arrestuari, prej dy ditësh ishte larguar nga shtëpia e tij dhe ishte strehuar në një kasolle në fshatin Picrragë, nga ku sajoi dhe rrëmbimin e tij. Gjatë këtyre dy ditëve Ndreu ka telefonuar disa herë në shtëpinë e tij, duke u shtirë si pengmarrësi dhe i ka kërkuar vëllait dhe babait të tij një shumë prej 500 000 lekësh, me qëllim lirimin e pengut. Por skema e tij nuk arriti të funksionojë, pasi ishin pikërisht familjarët e tij ata që denoncuan në polici zhdukjen e tij. Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Krujës për veprat e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe prodhimit e shitjes së narkotikeve.
Pranga dy ndihmësve të Ylli Biberit
Ndihmuan të kërkuarin për vrasje, pranga Ernest Jahelezit dhe Gëzim Muldakës. Dy personat u arrestuan dje nga policia me akuzën se kanë përkrahur personin e shpallur në kërkim për vrasje, Ylli Biberi, i cili u arrestua dy ditë më parë pas një aksioni të forcave speciale RENEA në Koman të Shkodrës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se pas kapjes dhe arrestimit të shumë të kërkuarit Ylli Selim Biberi, 27 vjeç, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “armëmbajtjes pa leje”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Komani”, specialistët e Seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit në Policinë e Tiranës realizuan arrestimin edhe për dy persona të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas policisë, të arrestuarit janë: Ernest Sali Jahelezi, 22 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë, si dhe Gëzim Idris Muldaka, 22 vjeç, lindur dhe banues në Laç, i proceduar më parë për vjedhje. Policia tha se këta dy persona janë kapur së bashku me shtetasin Ylli Biberi dhe arrestimi i tyre u bë pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë konsumuar veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Të arrestuarit dyshohet se kanë ndihmuar të kërkuarin në lëvizjet e tij duke i ikur policisë, si dhe e kanë strehuar atë në disa banesa në periferi të Tiranës.
Një në pranga, dy në kërkim, trafikuan dhe shfrytëzuan për prostitucion dy vajza
ELBASAN – Shpallen në kërkim dy persona që trafikuan në Greqi një 23-vjeçare. Policia e Elbasanit i ka shpallur në kërkim këta persona, pasi akuzohen se në bashkëpunim kanë trafikuar në Greqi 23-vjeçaren me inicialet M. B., ku edhe e kanë shfrytëzuar për prostitucion në një periudhë 3-mujore. Sipas uniformave blu të këtij qyteti mësohet se të kërkuarit janë 29-vjeçari Klodian Beci dhe 68-vjeçari Servet Beci, që të dy banues në Elbasan. Ndërkaq, po Policia e Elbasanit bën të ditur se është ndaluar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Itali një vajzë 32-vjeçare me inicialet M. K. I ndaluari është 39-vjeçari Saimir Binjaku, lindur dhe banues në Elbasan, i cili mësohet se e ka shfrytëzuar vajzën e përmendur më lart për një periudhë të gjatë kohe, deri në muajin nëntor të vitit të kaluar. Materialet për të tre personat e akuzuar i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “shfrytëzim i prostitucionit në rrethana rënduese”.
Kundërshton dhe godet policët, arrestohet 31-vjeçari
FUSHË-KRUJË - Kundërshton dhe fyen forcat e policisë, arrestohet Bilal Kulla. Lajm bëhet i ditur nga ana e policisë së Fushë-Krujës, e cila njofton se më datë 08.01.2010, ora 01:30, u bë arrestimi në flagrance i Bilal Kulla, 31 vjeç, lindur e banues në Fushë-Krujë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tij u bë për arsye së më datë 07.01.2010, rreth orës 21:15, pas një konflikti banal të ndodhur në një lokal në qendër të Fushë-Krujës me pronaren e lokalit, është shoqëruar për në stacionin e policisë Fushë-Krujë nga Patrulla e Përgjithshme e Policisë. Mësohet se gjatë shoqërimit ka fyer e goditur punonjësit e policisë. Materialet për veprat penale të goditjes e fyerjes për shkak të detyrës iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Krujës.
9 Janar 2010