E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi për Dritan Dajtin, gjykata rrëzon kërkesat e Xhoxhit dhe të oficerit gjyqësor

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesat e Ergest Xhoxhit dhe të ish-oficerit gjyqësor Marenglen Muça për t’u gjykuar veçmas nga Dritan Dajti. Seanca e radhës vijoi dje me kërkesa nga të pandehurit dhe për të dytën herë radhazi Dajti ka refuzuar të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit. Ndërkohë, avokati i tij, Arben Qeleshi, i dorëzoi kryetares së kolegjit penal prokurën të firmosur nga bashkëshortja e Dajtit. Në seancën e djeshme gjyqësore ishin të pranishëm vetëm dy të pandehur. Mereglen Muça, ish-punonjës i Policisë së Durrësit dhe Ergest Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit. I pari akuzohet për shpërdorim detyre me qëllim ardhjen në ndihmë të Dritan Dajtit, ndërsa Xhoxhi akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe moskallëzim krimi. Dritan Dajti akuzohet në këtë proces për vrasjen e katër punonjësve të policisë më datë 7 gusht në Plazhin e Durrësit. Avokati Qeleshi i kërkoi dje gjykatës që të caktonte një mjek specialist, i cili të vlerësojë gjendjen shëndetësore të Dajtit, si dhe atë psikike. Kjo kërkesë, pasi u shqyrtua nga gjykata, u refuzua duke u konsideruar e papajtueshme me ligjin. Sipas vendimit të gjykatës, Dajti ka qenë gjithmonë nën kujdesin e mjekëve dhe mosfirmosja e fletë-thirrjes nuk nënkupton gjendjen e tij të rëndë shëndetësore. Ndërsa më pas u bënë kërkesat nga të pandehurit e tjerë. Këto kërkesa u kundërshtuan nga prokurorët e çështjes. Marenglen Muça tha nëpërmjet avokatit të tij se gjykimi nga krimet e rënda i vështirëson atij pozitën qoftë edhe në opinionin publik. Por asgjë nga ato që u thanë nga avokatët mbrojtës nuk u morën parasysh nga gjykata, e cila në përfundim i rrëzoi të dyja kërkesat.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›