E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, si pa manipulohet me hartimin e listave per demshperblim

Laureta Rryçi

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, priti dje, me kërkesë të tyre, një përfaqësi të grevës së urisë të të ish-përndjekurve politikë, kryesuar nga Xhaferr Agaraj. “Ju shprehim falënderimin tonë për ndërhyrjen e institucionit që drejtoni, pasi Rekomandimi juaj, drejtuar qeverisë qysh me datën 23 Dhjetor 2009, ka qenë thelbësor për ndërprerjen e grevës tonë prej 64 ditësh”, - u shpreh në takim Agaraj. Ndërsa Avokati i Popullit u shpreh: “Ndjekja e problemeve të të ish-përndjekurve politikë ka qenë një prioritet për institucionin e Avokatit të Popullit. Unë me këtë rast përshëndes vendimin e qeverisë shqiptare të datës 29 dhjetor 2009, për dëmshpërblimin e menjëhershëm të ish- të përndjekurve që janë gjallë dhe bashkë me ekspertët e zyrës time, do të kërkoj në vazhdimësi zbatimin e të drejtave tuaja nga të gjitha hallkat e shtetit, të përfshira në këtë çështje”.
Takimi
Gjatë takimit, përfaqësuesit e grevës së urisë ngritën në parim problemin që edhe 18 vjet pas fitimit të pafajësisë, çështja e dëmshpërblimit dhe rehabilitimit të ish- të përndjekurve politikë ka mbetur e pazgjidhur plotësisht. Duke njohur përpjekjet e qeverive të radhës në Shqipëri për ta trajtuar problemin e ish- të përndjekurve politikë, bashkëbiseduesit theksuan faktin se, pavarësisht ligjeve të miratuara, zbatimi i tyre ka zvarritje. Pasi kanë shprehur një farë kriticizmi për angazhimin joefektiv të shoqatave tashmë të njohura të ish-të përndjekurve politikë, përfaqësuesit e grevës së urisë ngritën një sërë problemesh që kanë të bëjnë me barazinë para ligjit. Ata pretenduan për diskriminim lidhur me përllogaritjen e ditëve të burgut dhe ato të hetuesisë, duke kërkuar me këtë rast respektimin e raportit “një ditë hetuesi e barabartë me një ditë e gjysmë burg”. Ata, gjithashtu kërkuan që vlera e shtëpive të përfituara para vitit 2000, të mos llogariten me çmimin e sotëm; vënien në përdorim të letrave me vlere, me vlerën e tyre reale dhe jo atë të tregut të sotëm; kritikuan formulën e përllogaritjes së dëmshpërblimit për dënimet e përziera; kërkuan përfshirjen edhe të vejushave të vetmuara apo jetimëve, pasardhës të ish-të përndjekurve politike, në listat prioritare të qeverisë, si dhe ndjekjen e problemeve të tjera të kësaj natyre.
Akuzat
Përfaqësuesit e grevës së urisë shprehën vërejtje për transparencën e sektorit përkatës të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë, duke i cilësuar abuzive rastet e shkeljes së radhës në procesin e hartimit të listave të dëmshpërblimit, si nga Ministria e Drejtësisë, ashtu edhe nga ajo e Financave. Nga ana e tij, Avokati i Popullit u shpreh se zgjidhja e këtyre problemeve kërkon një mirëkuptim të të gjitha palëve, e në radhë të parë midis dy forcave kryesore politike në vend si dhe forcimin financiar të shtetit. “Vetëm kështu mund të sigurohet një zgjidhje afatgjatë e problemeve që ju keni ngritur dhe ngrini tashmë prej 18 vitesh”, - tha Dobjani.

Kërkesat e të përndjekurve ndaj qeverisë

1. Ata pretendojnë për diskriminim lidhur me përllogaritjen e ditëve të burgut dhe ato të hetuesisë, duke kërkuar me këtë rast respektimin e raportit “një ditë hetuesi e barabartë me një ditë e gjysmë burg”.
2. Kërkojnë që vlera e shtëpive të përfituara para vitit 2000 të mos llogariten me çmimin e sotëm.
3. Vënien në përdorim të letrave me vlerë, me vlerën e tyre reale dhe jo atë të tregut të sotëm.
4. Kritikojnë formulën e përllogaritjes së dëmshpërblimit për dënimet e përziera.
5. Kërkojnë përfshirjen edhe të vejushave të vetmuara apo jetimëve, pasardhës të ish-të përndjekurve politike, në listat prioritare të qeverisë.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›