E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet pallati i Ilir Matës në qendër të Tiranës

Shemben dy katet e para të pallatit 12-katësh në pronësi të Ilir Matës. Inspektorati i Lartë i Ndërtimit ka nisur ditën e djeshme rreth orës 06:30 aksionin për prishjen e dy kateve të para të kësaj ndërtese që ndodhet në qendër të Tiranës, pasi sipas Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, pallati ishte ndërtuar mbi rrugë dhe kishte penguar lëvizjen e qytetarëve të asaj zone. Sipas kësaj ministrie, pronari Ilir Mata duhej të kishte lënë të hapur një tunel për kalimin e qytetarëve, dhe ky projekt nuk ishte zbatuar.
Aksioni
Automjetet e rënda të Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit, me ndihmën dhe të Policisë së Tiranës, i janë drejtuar pallatit rreth orës 06:30 dhe kanë filluar shembjen e 2 kateve të para, në pjesën e pasme të ndërtesës. Pas prishjes, automjetet janë larguar duke lënë të pahequra mbetjet inerte. Nga prishja e dy kateve të para të kësaj ndërtese është dëmtuar rëndë edhe skela e ngritur për suvatimin e fasadës së këtij pallati. Edhe pse skela është gati për të rënë, askush nuk mori masa për heqjen e saj dhe evitimin e rrezikut për banorët e zonës përreth.
Historia e pallatit
Inspektorati i Lartë i Ndërtimit nisi prishjen e pallatit më 7 dhjetor 2009. Në këtë ditë u prish vetëm fasada e 3 kateve të para dhe aksioni u pezullua pas polemikave mes kampeve politike. Deputetet e majtë e konsideruan aksionin si sulm të kryeministrit ndaj opozitës. Më 7 dhjetor, Ilir Mata dorëzoi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për ndërprerjen e aksionit të Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit, pasi sipas tij, ky urdhër ishte marrë në kundërshtim me ligjin. Por, më 28 dhjetor, Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e biznesmenit Ilir Mata, kunatit të deputetit të PS-së, Dashamir Peza, duke i hapur rrugë prishjes së pallatit. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, kërkesa e Matës nuk ishte e bazuar në ligj, pasi avokati i tij i ishte referuar një dispozite të gabuar ligjore. Po këtë ditë Mata depozitoi një tjetër kërkesë në gjykatë, por Inspektorati vendosi që ditën e djeshme të niste prishjen e dy kateve të para të këtij pallati, për të hapur rrugën për të kaluar banorët.

Shalsi: “Berisha prish ndërtimin e ligjshëm për të larguar vëmendjen nga përmbytjet”

Prishja e ndërtesës së ligjshme në Tiranë është një nga mënyrat që kryeministri Sali Berisha e përdor për të larguar vëmendjen e shqiptarëve mbi krizën humanitare të Veriut të vendit. Kështu ka theksuar dje deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i cili tha se kreu i Ekzekutivit po angazhon mjete dhe Policinë e Shtetit për të goditur një ndërtim të ligjshëm pa pritur vendimin e gjykatës. “Në kulmin e një krize humanitare që po mban peng zemër të ngrirë vendin, pikërisht për të larguar vëmendjen nga përmbytjet dhe dëmet kolosale të shkaktuara nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria qeveritare, shpellari Sali Berisha angazhon mjete dhe Policinë e Shtetit për të goditur një ndërtim të ligjshëm pa pritur vendimin e gjykatës”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar se ky vend po bëhet peng i një mendje çorodituri që flet përçart, vepron përçart dhe që qeveris me vota të vjedhura, duke shkaktuar kriza e katastrofa të njëpasnjëshme, të mëdha e të vogla.
Sipas tij, Berisha është tashmë peng i interesave të korrupsionit që kanë mbytur qeverinë e vendit dhe që diktojnë mendimet dhe veprimet e çoroditura të këtij shpellari veshur me kostum komunisti të përmbytur me pasuri. “Ne sot, megjithatë, jemi të përqendruar për shpëtimin e jetës e të katandisë së çdo fukarai në zonën e përmbytur nga korrupsioni qeveritar. Këtë pushtet dhe komunistin Sali Berisha nuk e shpëton asgjë nga gjykimi i popullit”, - u shpreh deputeti Shalsi.
e

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›