E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vendos pagesë të re ditore për ushtarët me mision paqeruajtës

Laureta Rryçi

Këshilli i Ministrave miratoi dje disa vendime që u përkisnin ushtarëve shqiptarë që janë në misione paqeruajtëse. Sipas vendimeve të djeshme, ndryshime do të ketë jo vetëm në tarifën ditore që merrnin deri tani, por edhe mbi monedhën që do të bëhet pagesa e tyre. Qeveria firmosi dje që pagesat të bëhen, mbi të gjitha, sipas nivelit të rrezikshmërisë. Ky nivel, për t’u përcaktuar për secilin ushtar, iu la si kompetencë ministrit të Mbrojtjes. Vendimet ishin për ushtarët shqiptarë që janë në Bosnjë – Hercegovinë, Afrikën Qendrore dhe Afganistan.
Pagesa
Sipas vendimeve të djeshme, ushtarët shqiptarë që janë me mision në Afrikën Qendrore nuk do të paguhen më në ditë me 60 euro, por
me 9 mijë lekë. Për ushtarët që janë në Bosnjë – Hercegovinë është përcaktuar 6 mijë lekë dita. Ndërsa për ushtarët që janë në Afganistan tani e tutje do të paguhen në bazë të nivelit të rrezikshmërisë që kanë në mision. Për ata që kanë rrezikshmërinë më të lartë, nga 90 dollarë, tani do të paguhen me 120 mijë lekë, ndërsa për ata që janë në një nivel më të ulët rrezikshmërie dita do t’ju llogaritet me 9 mijë lekë.
Misionet
Gjatë misionit në Afganistan, kontingjenti paqeruajtës shqiptar ka kryer detyra në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë (ISAF). Kontingjenti shqiptar është në varësi të drejtëpërdrejtë të kontingjentit turk, i cili është pjesë përbërëse e brigadës multinacionale. Kontingjenti shqiptar në misionin e parë është përfaqësuar me 30 trupa të ndara në tri skuadra. Me ndryshimin e strukturës së kontingjenteve të forcave të tjera ndryshoi dhe përbërja e kontingjentit tonë duke u reduktuar në 23 veta. Në Bosnjë kompania shqiptare është përgjegjëse për sigurinë në Rajlovac dhe kontrollon se kush dhe çfarë hyn e del në kamp. Kompania shqiptare konsiston në gjashtë oficerë, gjashtë kapterë dhe pesëdhjetë e shtatë ushtarë. Kjo kompani është pjesë autonome e repartit gjerman. Përpara se të mbërrijnë në Rajlovac, ushtarët kryejnë një kurs intensiv trajnimi në vendin tonë. Për t’u kualifikuar si roje, ushtarët ndjekin një kurs katërjavor në Gjermani, i cili përfshin trajnim bazë, si dhe të orientuar për misionin. Në korrik të vitit 2008, Forcat e Armatosura shqiptare kanë angazhuar edhe një kontingjent në operacionin e EUFOR TCHAD-RCA, drejtuar nga Bashkimi Europian në Çad të Afrikës. Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshjen me Bashkimin Europian, për dërgimin e trupave në ÇAD, si pjesë në misionet ushtarake të BE-së. Kontingjenti i FA në Çad të Afrikës është angazhuar për sigurimin e Shtabit të Përgjithshëm që ndodhet në Ndjamena; kryerjen e patrullimit në rajonin e këtij qyteti; eskortim i vizitorëve të ndryshëm; si dhe shoqërim i trupave që mund të lëvizin nga kampi i Ndjamenas për në kampin “ABECHE” në një distancë 700 km, përfshirë edhe sigurimin e trupave gjatë natës nëse e kërkon nevoja. Kontingjenti përbëhet nga një efektiv prej 63 ushtarakësh dhe është nxjerrë nga strukturat e Regjimentit Komando.

Vendimet e qeverisë sipas misioneve

Afrika qendrore
Një ndryshim në Vendimin Nr.556, datë 28.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e shpërblimit ditor për ushtarakët shqiptarë të dërguar në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore, në kuadër të misionit ushtarak ‘Minurcat’ të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Nenit 3, të Aktit Normativ Nr.1, datë 2.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për dërgimin e një kompanie të Forcave të Armatosura në Republikën e Çadit dhe në Republikën e Afrikës Qendrore, si kontribut i Republikës së Shqipërisë në misionin ‘Minurcat’, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, miratuar me Ligjin Nr.10114, datë 2.4.2009, dhe të Ligjit Nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në pikën 1 të Vendimit Nr.556, datë 28.5.2009, të Këshillit të Ministrave, fjalët “...të jetë 60 (gjashtëdhjetë) euro ...” zëvendësohen me “...të jetë 9 000 (nëntë mijë) lekë...”.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2010.

Bosnjë-Hercegovinë
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Aktit Normativ Nr.2, datë 8.4.2008, “Për dërgimin në Bosnjë-Hercegovinë të një grupi të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të marrë pjesë në operacionin ‘ALTHEA’ të Bashkimit Europian”, miratuar me Ligjin Nr.9907, datë 24.4.2008, dhe të Ligjit Nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpërblimi ditor për ushtarakët shqiptarë të dërguar në Bosnjë-Hercegovinë, në kuadër të operacionit "ALTHEA", të Bashkimit Europian, të jetë 6 000 (gjashtë mijë) lekë, për çdo ditë qëndrimi në këtë mision.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i vitit 2010, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
3. Vendimi Nr.477, datë 23.6.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për shpërblimin e ushtarakëve, pjesëmarrës në operacionin ‘ALTHEA’ të Bashkimit Europian në Bosnjë-Hercegovinë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2010.

Afganistan
Një ndryshim dhe shtesë në Vendimin Nr.424, datë 12.8.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e shpërblimit ditor për ushtarakët shqiptarë të dërguar në Afganistan, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit”, të ndryshuar.
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Nenit 3, të Ligjit Nr.8932, datë 25.7.2002, “Për dërgimin e një force ushtarake shqiptare në Afganistan, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit”, të ndryshuar dhe të Ligjit Nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në Vendimin Nr.424, datë 12.8.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen ky ndryshim dhe kjo shtesë:
a) Në pikën 1, fjalët “...të jetë 60 (gjashtëdhjetë) dollarë amerikanë...” zëvendësohen me “...të jetë 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë, për nivelin e parë të rrezikshmërisë, dhe 9 000 (nëntë mijë) lekë, për nivelin e dytë të rrezikshmërisë...”.
b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Ministri i Mbrojtjes përcakton nivelin e rrezikshmërisë për trupat që do të marrin pjesë në mision, në bazë të tabelës së vlerësimit të rrezikshmërisë”.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2010.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›