OSSH-ë, furnizim me energji pa ndërprerje të gjitha zonave të përmbytura
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka njoftuar dje se, nuk do të ketë në asnjë moment ndërprerje të energjisë elektrike në zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Zyrtarët e OSSH-së kanë saktësuar se, ndërprerje të energjisë do të ketë vetëm në ato zona të cilat do të përcaktohen si zona në rrezik prej rritjes së nivelit të ujit. OSSH-ja është duke bashkëpunuar ngushtësisht me Shtabin e Emergjencës pranë Prefekturës së Shkodrës për të siguruar furnizimin me energji elektrike në të gjitha zonat e përmbytura dhe për mbrojtjen e pjesëve të rrjetit që rrezikohen të dëmtohen. OSSH-ja ka ngritur grupe shërbimi 24-orëshe në drejtorinë e zonës, si dhe në zonat e përmbytura. Për të shmangur rrezikun si rezultat i rritjes së nivelit të ujit, është bërë shkëputja e 38 kabinave në gjashtë nënstacione të cilat të gjitha së bashku furnizonin 932 abonentë.
Masat
Në sajë të masave të marra dhe të punës intensive që është duke u zhvilluar, vetëm rreth 5 për qind e abonentëve të këtyre zonave ndodhen për momentin pa energji elektrike. Për të rritur sigurinë në nënstacionin Dajç, çelat e tensionit të mesëm janë ngritur gjysmë metri më lart dhe në nënstacionin “Shkodra 2”, dhe në nënstacionin e “Zues” me ndihmën e dhënë nga Ministria e Mbrojtjes janë vendosur qindra thasë me rërë përreth dhe janë instaluar pompa që bëjnë të mundur nxjerrjen e ujit. Dje u punua edhe në nënstacionin “Trush” për të zhvendosur çelen e energjisë me 30 cm. Sipas informacioneve të marra nga dega e OSSH-së në Shkodër, në nënstacionin e “Dajçit” nëse uji rritet edhe 5 cm, atëherë arrin kuotën ku duhet bërë stakimi i këtij nënstacioni në të cilin janë rreth 1700 abonentë ose rreth 6000 banorë.
Stakimet
OSSH-ja ka deklaruar dje se ajo po ndjek nga shumë afër me anë të specialistëve të saj kuotat e ujit në zonat e përmbytura. Operatori do të bëjë stakime të detyruara të energjisë elektrike vetëm në ato raste dhe në ato zona ku kabinat mund të përmbyten dhe aty ku rrezikohet jeta e njerëzve, si pasojë e prezencës së energjisë elektrike. Për çdo stakim, OSSH-ja njofton më parë Shtabin e Emergjencës pranë Prefekturës Shkodër.
9 Janar 2010