E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunohet një komisioner i Partisë Socialiste

Procesi zgjedhor në Qarkun e Korçës është shoqëruar me incidente. Një 68-vjeçar, komisioner i Partisë Socialiste në fshatin Sul të Devollit, është rrahur sapo ka dalë nga qendra e votimit. Mësohet se Halil Pajo, pasi ka votuar, është pritur jashtë godinës nga dy të rinj, të cilët e kanë goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit. I moshuari ka humbur ndjenjat nga goditjet dhe nga kalimtarë të rastit është dërguar menjëherë drejt spitalit civil të Bilishtit, ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Burimet e policisë lokale thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:45 të së dielës, kur Pajo ishte duke dalë nga qendra e votimit. Me marrjen e sinjalizimit, është ngritur një grup hetimor i posaçëm për këtë rast. Burime pranë grupit hetimor pohuan për "Shqip" se ngjarja ka ndodhur për motive politike, pasi 68-vjeçari ka qenë anëtar komisioni i subjektit të Partisë Socialiste. Në njoftimin zyrtar, policia ka saktësuar se Halil Pajo, pasi kishte përfunduar së votuari në qendrën e votimit nr. 4001, rreth 100 metra larg saj, në kohën kur po largohej për në banesën e tij, është konfliktuar me shtetasit Eduart Hyska dhe Mentor Hajderlli, për motive politike. Policia i ka identifikuar autorët dhe ka arritur t‘i ndalojë ata disa orë pas incidentit. Incidente të tjera janë shënuar në disa nga qendrat e votimit. Partia Demokratike ka pretenduar se në fshatin Dvoran janë kapur stilolapsa me kamera që mbaheshin nga komisionerët socialistë. Kjo ka çuar në bllokimin e procesit të votimit, pavarësisht se komisionerët socialistë nuk e kanë pranuar një fakt të tillë. Ndërkaq në zonën e Devollit, procesi i votimit ka nisur një orë me vonesë, pasi dy komisionerët e PSD-së ndodheshin jashtë shtetit dhe është kërkuar zëvendësimi i tyre. Ndërsa në fshatrat Zëmblak, Vashtmi, Dvoran, Leskovik, Velitërnë dhe në lagjen "Radanec" të Korçës, përfaqësues të forcave politike kanë pretenduar për ushtrim presioni mbi votuesit nga forca të ndryshme politike. Ndërkohë një grua në qendrën e votimit, pranë shkollës "Nuçi Naçi" në qytetin e Korçës, është ndaluar të votojë, me pretendimin se kishte fotografuar votën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›