Nuk voton dot, se i kishin "vjedhur" emrin
Ankesa më e veçantë e këtij procesi zgjedhor ishte ajo e një vajze nga Tirana, e cila tha se dikush tjetër kishte votuar në emrin e saj, duke përdorur madje një kartë identiteti. Erjola Engjëllush Dervishi shkoi te shkolla "Sami Frashëri" për të votuar dhe nuk u lejua, sepse atje kishte votuar një zgjedhëse me të njëjtin emër. Partia Socialiste është angazhuar menjëherë me investigimin e këtij rasti, për të zbuluar çfarë kishte ndodhur realisht. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, doli dje në një konferencë shtypi për të sqaruar atë që kishte ndodhur. "Ka tri Erjola Dervishi", tha Islami, duke saktësuar se njëra është banore e Tiranës, njëra e Pogradecit dhe një tjetër e fshatit Kutalli të Beratit. Sipas Islamit, Erjola nga Pogradeci kishte votuar në qendrën e saj të votimit, ndërsa Erjola nga Berati nuk kishte votuar deri në orën 16:00. Islami tha se do të verifikohej rasti deri në fund dhe se do të çohej edhe për ndjekje penale.