E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk gjeti emrin, tenton të vrasë kreun e komunës

Incidentet e ditës së votimeve nuk kanë munguar në Qarkun e Elbasanit. Kështu, në Gramsh, në Komunën Kukur, një banor i zonës, pasi nuk ka gjetur emrin në listat e zgjedhësve, i irrituar ka rrëmbyer automatikun e policit të shërbimit dhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të Luan Koklës, kreut të kësaj komune. Policia lokale bën të ditur se autori është ndaluar, ndërkohë që mësohet se ai ka probleme mendore. Një incident më i hershëm është regjistruar në fshatin Babje të Rrethit të Librazhdit, ku policia ka shoqëruar për pak kohë shoferin e kandidatit për deputet të PS-së, Taulant Balla. Ky i fundit ka protestuar se shoferi i tij, Avni Mema, është dhunuar nga Abdulla Bardhoshi, përfaqësues i PD-së. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se Mema dhe Bardhoshi vetëm sa janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë. Po në këtë qytet, nënprefektja e Rrethit të Librazhdit, Mimoza Qyra, ka goditur Hedie Bardhin, që rezulton të jetë invalide. Ndërsa në fshatin Pajovë të Peqinit, deri në orën 11:00 nuk ka nisur procesi zgjedhor, për shkak se kryetari i komisionit të votimit ishte larguar duke marrë me vete dhe vulën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›