E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të huajt: Të shtyhet ligji për dosjet. Mazhoranca bën rezistencë

Nga Armand Maho

Ndërkombëtarët kanë vijuar dje fushatën e tyre për të mos lejuar që ligji për lustracionin të miratohet në Kuvend, pa u diskutuar gjerësisht dhe pa patur konsensus të plotë. Ata kanë vënë theksin te përshtatja e ligjit me kuadrin ligjor të vendit. Dje ka reaguar ambasada britanike, e cila ka kërkuar që ligji të mos miratohet kaq shpejt, duke pasur parasysh se Kuvendi e ka vendosur për miratim ditën e hënë. Ambasada britanike përmes një deklarate ka kërkuar shtyrjen e tij. “Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, shprehet e shqetësuar për votimin e afërt në parlament të projektligjit “për Pastërtinë e Figurës”. Ka shumë rëndësi që një ligji me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme, duke përfshirë në këtë proces dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Procesi i pastrimit të figurave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ne mendojmë se shtyrja e procesit të votimit për të lejuar konsultime dhe debate publike më gjithëpërfshirëse do ishte një hap pozitiv dhe i mirëpritur”, - thuhet në deklaratën e tyre për mediat.

Në këtë kuadër, ambasadori amerikan, John Withers, ka takuar dje kryetaren e Kuvendit, e bëhet e ditur se kjo çështje ka qenë në qendër të diskutimeve. Takimi ka zgjatur më pak se një orë, por mazhoranca duket se ka ndarë mendjen në qëndrimin e saj. Megjithatë gjithçka duket e mundur, duke parë se ligji nuk u miratua të hënën e shkuar. Qeveria amerikane ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me ligjin e dosjeve një ditë pasi ai u diskutua në Kuvend. Ata vlerësuan se ligji bie ndesh me Kushtetutën e vendit, e kërkuan që të ketë një konsensus të gjerë për të. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në parlament për të shtyrë votimin mbi projektligjin “për Pastërtinë e Figurave”. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu, nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - thuhej në deklaratën e shpërndarë nga ambasada amerikane.

Edhe OSBE kërkoi që për ligjin të merret konsulenca ndërkombëtare. “Është shumë e rëndësishme për çdo vend që të përballet me të kaluarën e tij, sidomos me një të kaluar të ashpër, siç e ka pasur Shqipëria. Sigurisht kjo gjë duhet bërë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të gjitha palët duhet të kenë rolin e tyre në këtë proces”, - tha ambasadori i prezencës, Robert Bosch. Ambasadori njohu gjithashtu se, sipas tij, ka disa probleme kushtetuese me nenet e projektligjit, duke sugjeruar gjithashtu nevojën e ekspertizës ndërkombëtare: “Ligje që kanë natyrë kaq të ndjeshme, mendoj se, përpara se të hidhen në votë, duhet t’i paraqiten Këshillit të Evropës dhe ODIHR, sepse janë dy institucione të specializuara në këtë fushë dhe mendoj se duhen shfrytëzuar, sepse ato janë të gatshme e mund të japin një mendim më të saktë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›