E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunoi kandidatin e FRD, pranga 29-vjeçarit. Policia: Ngjarja për motive banale

FIER – Policia e Fierit arrestoi mbrëmjen e sotme 29-vjeçarin Eugen Çaushi nga Roskoveci, i cili dyshohet se është autori i dhunimit të kandidatit të FRD-së, Mit’hat Hoxha. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja nuk ka lidhje me bindjet politike, por 29-vjeçari e ka rrahur Hoxhën për motive banale.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.06.2013, ku është rrahur shtetasi Mit’hat Hoxha, nga hetimet e kryera u arrit të identifikohet si një nga autoret e dyshuar, shtetasi Eugen Çaushi vjeç 29, banues në Rroskovec Fier. Nga kallëzimet që ka dhënë i dëmtuari, shtetasi Mit’hat Hoxha dhe bashkëshortja e tij, nuk rezulton që të jenë kërcënuar më parë. Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier në bazë të urdhërit të ndalimit të Prokurorisë, u bë ndalimi i të dyshuarit. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngjarja nuk ka motive politike. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

Mit’hat Hoxha, biznesmen materialesh ndërtimi në Roskovec, kandidat për deputet nga FRD-ja në zonën ku banon dhe punon, është qëlluar me mjete të forta në kokë e trup teksa ka qenë duke u futur në portën e oborrit të banesës ku ai jeton në Roskovec, në orën 23 e 15 minuta të mbrëmjes së të dielës. Hoxha ka deklaruar se “është qëlluar befasisht nga 3 persona, të cilët nuk ka mundur t’i identifikonte”. Në një prononcim për "NEWS 24", bashkëshortja e Hoxhës ka pretenduar se ngjarja ka motive politike. Ajo u shpreh se i shoqi që në momentin që po kandidon si deputet në këtë zonë ka marrë vazhdimisht kërcënime për jetën. “E kanë kërcënuar në shtëpi para dy javëve, na kanë ardhur në shtëpi. Më thanë që do ta vrasin mos të vijë më në fshat, punë partie. Kandidonte në Roskovec”, - tha bashkëshortja e Hoxhës me lot në sy.

Ndërkohë Policia e Fierit bëri të ditur se Hoxha nuk i ka dhënë asnjë shpjegim efektivëve mbi ngjarjen e ndodhur. “I dëmtuari nuk i ka dhënë asnjë shpjegim policisë për ngjarjen, me arsyen se ndihem i turbulluar dhe nuk mund të jap shpjegime për momentin. Në lidhje me pretendimet e FRD dhe familjarëve të të dëmtuarit, se personi në fjalë është kërcënuar dhe për këtë është vënë në dijeni, Policia e Shtetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier shpreh keqardhjen, pasi nuk ka patur asnjë denoncim të mëparshëm nga shtetasi Mit’hat Hoxha”, - thuhet në njoftimin për shtyp.

Mit’hat Hoxha është rreth 60 vjeç, baba i dy vajzave dhe dy djemve. Ai banon në Roskovec dhe prej më shumë se 15 vitesh ka biznes me materiale ndërtimi dhe kryesisht pllaka majolike që përdoren për shtrim në apartamente. Sipas bisedës me familjarë dhe shokë të tij, ai ka qenë simpatizant i PS-së, por me krijimin e partisë FRD, ai është bërë anëtar i saj, dhe në këto zgjedhje ai është kandidat për deputet i kësaj force politike. Ai njihet si njeri i ndershëm në zonën e tij ku punon dhe jeton, njeri që ka ndihmuar të papunët; ka reputacion në zonën e tij. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›