Dhunojnë 18-vjeçarin për vjedhjen e hashashit, tre në pranga
GJIROKASTËR - Një 18-vjeçar nga qyteti i Libohovës, Gjirokastër, është rrëmbyer dhe keqtrajtuar fizikisht nga tre persona, dy prej të cilëve u ndaluan nga policia, ndërsa personi i tretë është në kërkim. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, tha se "ngjarja ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 19:00, në lagjen “18 Shtatori” të qytetit të Gjirokastrës, ku 42-vjeçari Jaho Skëndi, 34-vjeçari Roland Dalani dhe 30-vjeçari Tahir Çela, që të tre lindur dhe banues në fshatin Lazarat, kanë marrë me forcë në automjetin tip “xhip” 18-vjeçarin Alban Rustemi, i dënuar më parë për vjedhje, për shkak se viktima dyshohet si autor i vjedhjes së lëndës narkotike hashash disa ditë më parë . “Në momentin e rrëmbimit njëri prej të ndaluarve kishte me vete një armë zjarri. 18-vjeçari nga qyteti i Libohovës është çuar forcërisht në vendin e quajtur Virua, rreth 4 km larg qytetit të Gjirokastrës dhe më pas është goditur me mjete të forta, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup”, - tha Mullai. Sipas tij, falë ndërhyrjes në kohë të policisë lokale është bërë i mundur identifikimi dhe ndalimi i dy personave, ndërkohë që personi i tretë është shpallur në kërkim. Ndalimi i tyre u bë për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë”, parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
26 Shkurt 2008