Dy vjedhje brenda pak orësh, nisin hetimet
ELBASAN - Dy vjedhje kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të autorëve. Burime të policisë bënë të ditur se "persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur me thyerje dyqanin që tregton mallra ushqimore, në pronësi të shtetasit Enver Kryemadhi, në fshatin Kuqan të rrethit të Elbasanit". Sipas policisë, në këtë dyqan janë vjedhur 90 000 lekë të rinj, 2600 euro, 10 koli paketash cigare të llojeve të ndryshme, si dhe 600 copë karta rimbushëse "Vodafon" dhe "AMC". Ndërkohë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje. Rasti i dytë i vjedhjes është konstatuar në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku sërish është vjedhur një pikë shumice që tregton artikuj ushqimorë. Burime të policisë bënë të ditur se në këtë dyqan me pronare shtetasen Arta Lleshanaku janë vjedhur një sasi pijesh alkoolike, disa karta rimbushëse "AMC", si dhe disa koli paketash.
26 Shkurt 2008