Dhunon prindërit, ndalohet nga policia
Kukës - Një 35-vjeçar u ndalua dje nga policia e Kukësit pas dhunës që ushtroi ndaj prindërve të tij, të cilët aktualisht po trajtohen në spitalin e këtij rrethi. “Izet Gjana, 35 vjeç, nga fshati Gabricë i Kukësit, ishte denoncuar nga prindërit e tij për dhunë të vazhdueshme ndaj tyre. Për këtë arsye, policia i kishte marrë në mbrojtje prindërit e 35-vjeçarit, por pavarësisht kësaj mase ata nuk kanë mundur t’i shpëtojnë dhunës”, - thanë burimet e policisë. Mësohet se mbrëmjen e kaluar 35-vjeçari ka goditur prindërit e tij të moshuar, të cilët më pas janë transportuar në spitalin e qytetit. Ky është rasti i parë në qarkun e Kukësit që persona që kanë mbrojtjen e policisë dhunohen. Aktualisht, nën mbrojtjen e policisë janë tre persona të tjerë për shkak të dhunës që ushtrohet nga të afërm.
Aksidentohen bashkëshortët, ndalohet drejtuesi i mjetit
Elbasan - Një çift, që qarkullonte me motoçikletë në aksin rrugor Elbasan -Shalës, mbetën të plagosur në orët e vona të dy ditëve më parë pasi u përplasën me një automjet, drejtuesi i të cilit u arrestua nga policia si shkaktar i këtij aksidenti. Burime të policisë bënë me dije për gazetën se automjeti tip “Ford” kamionçinë, me targë EL 8732 B, i drejtuar nga shtetasi Sejdin Zekthi, u përplas me motoçikletën ku udhëtonin 37-vjeçari I.H. dhe bashkëshortja e tij, 28-vjeçarja F.H., të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit. Mësohet se drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes, por uniformat blu e kanë arrestuar atë një orë më pas pranë shtëpisë së tij.
Dhurata për familjet rome, pas koncertit të Korpusit të Paqes
Elbasan - 12 familje të komunitetit rom në qytetin e Elbasanit morën dje ndihma në veshje dhe ushqime, me një vlerë të përgjithshme prej 80 mijë lekësh. Fondet për këto ndihma u mblodhën nga një koncert i organizuar nga Korpusi i Paqes me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit. Protagonistë të këtij koncerti ishin fëmijët e talentuar të këtij qyteti. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i pranishëm në shpërndarjen e dhuratave për familjet rome, u shpreh se këto lloj aktivitetesh janë të rëndësishme dhe për simbolikën që përcjellin, ndërsa premtoi vazhdimësinë e tyre në të ardhmen.
4 Shkurt 2009