E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër, zbulohet vendndodhja e vrasësit shqiptar



Mediat angleze zbulojnë një tjetër fakt mbi Selami Çokajn, një ndër shumë të kërkuarit nga Policia shqiptare dhe që aktualisht jeton në Britaninë e Madhe. Sipas mediave angleze, Selami Çokaj, i cili prej 11 vitesh jeton në Angli me identitetin e rremë Valtron Gashi, dyshohet se banon në Notts të Anglisë. Qyteti shtrihet në verilindje të zonës qendrore të Anglisë dhe kufizohet nga Lejçestershajër në jug, Linkolnshajër në lindje, Jorkshajër në veri dhe Derbishajër në perëndim. Ministri i Emigracionit, duke folur për programin televiziv anglez “Tonight programm”, është shprehur se nuk ishte në dijeni të çështjes “Çokaj” dhe do të hetonte mbi të. Emri i Selami Çokajt është ndër 100 emrat e kriminelëve më të rrezikshëm që kanë gjetur strehim në Britaninë e Madhe. Më 1994-n Selami Çokaj u arrestua për vrasje, por mundi të arratisej nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997. Mbi të rëndon gjithashtu edhe akuza për rebelim të armatosur. Pas 1997-s u largua nga Shqipëria dhe aktualisht ndodhet në Britani. Vetë Çokaj ka deklaruar atëherë se ishte një ngatërresë identiteti. Më 2006-n policia britanike e arrestoi Çokajn në Mansfield, por teksa po përgatitej depërtimi i tij në Shqipëri në 2007-n, Çokaj kërkoi azil dhe kërkesa e tij ende nuk është marrë në shqyrtim.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›