“Dhunuesi i mësueses mund të jetë nxitur nga të tjerë”
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Policia e Gjirokastrës ka qartësuar ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, kur një i ri nga fshati Izvor i Tepelenës, tentoi të përdhunonte një arsimtare që jepte mësim në këtë fshat. Sipas burimeve të besueshme, 26-vjeçari Xhevahir Dema, i cili ndodhet në dhomat e paraburgimit, pati deklaruar se kishte qëllime serioze ndaj arsimtares. Ai ka pohuar se nuk e kishte dhunuar, por vetëm e kishte këshilluar të mos martohej me njeri se sipas tij ajo do të ishte vetëm e tij dhe askujt tjetër. Të njëjtat burime specifikojnë se i riu ka shfaqur shenja të qarta çekuilibri, duke pohuar dhe mohuar njëkohësisht ato që i thoshte. Për gati dy orë, asgjë nuk është marrë vesh në seancat pyetësore të zhvilluara në polici. Ndërkaq dyshohet se veprimet e Demës mund të kenë qenë të nxitura nga persona të tretë. Ky fakt bëhet mjaft i besueshëm po të merret parasysh se ai nuk ka ngacmuar asnjë vajzë në fshat, përveç mësueses. Mjaft të rinj nga Izvori e patën nxitur vazhdimisht të rrëmbente mësuesen, se rrugë tjetër nuk kishte. Kjo nxitje ishte tallëse dhe e padurueshme për Demajn, i cili "premtonte" vazhdimisht se do ta kryente një veprim të tillë. Një rast tipik i ngacmimit të mësueses në publik, nga ana e 26-vjeçarit, ndodhi para tri muajve kur Demaj pasi kishte blerë veshje imtime femrash i tundte ato para grupit të mësuesve. Kjo ngjarje e vendosi mjaft në siklet vajzën 26-vjeçare, e cila qysh atëherë kërkoi të transferohej në një fshat tjetër si mësimdhënëse. Në rastin e mëparshëm, Xhevahir Demaj është shpëtuar nga burgu falë edhe dëshmisë së dhënë nga polici i zonës, duke e justifikuar si person jo të vetëdijshëm për veprimet që kryente. Gjendja familjare e Xhevahir Demajt mësohet se është edhe më keq. Një nënë invalide, një baba me gjendje mendore jonormale, si dhe një vëlla me probleme fizike. Demaj, sipas banorëve të fshatit, nuk ka shfaqur asnjëherë shenja dhune në publik, por i vetmi veprim i rëndë që ai ka kryer ishte rrëmbimi dhe tentativa e kryer dje. Shpeshherë ai punonte si hamall dhe çoban në fshatrat përreth. Ndërkaq vajza e shokuar nga ngjarja ka kërkuar izolimin e agresorit.