Kompensimi, bllokohen punimet e rrugës së Arbrit
BULQIZE - Banorë të fshatit Vajkal në rrethin e Bulqizës kanë bllokuar dje punimet në Rrugën e Arbrit. Banorët e tubuar në rrugë i kanë bërë thirrje firmës së ndërtimit "Gjoka shpk" të ndalë punën, duke parkuar mjetet e tonazhit të rëndë në anë të saj. Banorët kanë përsëritur për të dytën herë kërkesën e tyre se nuk janë dëmshpërblyer për dëmin e shkaktuar nga traseja e rrugës. Sipas banorëve të fisit Bala, u ishte premtuar nga shteti kompensim në lekë për dëmtimin e tokës, pemëve frutore dhe bimëve të arave. "Që në fillim, kur nisën punimet këtu në fshatin tonë, ne kërkuam që shteti të na shpërblejë për dëmin që në sjellë. Fillimisht na thanë se bashkë me avancimin e punimeve do të mendohej për kompensim financiar. Punimet në këtë segment, Bulqizë-Ura e Qytetit janë drejt përfundimit dhe kërkesa jonë është harruar". Protestuesit thonë se nuk kërkojnë lëmoshë, por zgjidhjen e drejtë të çështjes së tyre. E njëjta situatë edhe në segmentin tjetër rrugor, Qafa e Buallit-Ura e Vashës, ku banorët e fshatit Plan i Bardhë kanë ndalur vazhdimin e punimeve, pasi kërkojnë kompensim për pronat që u dëmtohen nga traseja e rrugës dhe zgjidhjen e çështjes së varrezave të fshatit. Për protestën e banorëve, firma e ndërtimit vuri në dijeni policinë lokale, ndonëse ndërhyrja e tyre nuk ka qenë e nevojshme. Firma dhe banorët kanë rënë dakord që punimet të ndërpritet 2-3 ditë, edhe për shkak të festës së Bajramit, me shpresë se javën e ardhshme strukturat e Ministrisë së Transporteve do të ndërhyjnë për zgjidhjen e kërkesës së banorëve të fshatit Vajkal. h.p