E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Po s’u hapën kutitë, protesta ndaj qeverisë

 

Berat/ Fier

Kryetari në detyrë i PS-së ka deklaruar se në rast të mos plotësimit të kërkesave për hapjen e kutive të votimit, qeveria do të duhet të përballet me protesta të opozitës. Takimi i kandidatëve për kryetar të PS-së, Edi Rama e Maqo Lakrori, me kryesinë dhe anëtarët e Partisë Socialiste, është zhvilluar dje në qytetet e Beratit dhe të Fierit. Me socialistët e Beratit takimi u zhvillua dje paradite në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias. Edi Rama në fjalën e tij deklaroi se “grupi parlamentar socialist nuk do të hyjë në Parlament pa u plotësuar më parë kërkesat e tyre, mes të cilave edhe rikthimi i votave të vjedhura në Berat, kërkesa të cilat në rast mosplotësimi do ta detyrojnë këtë parti të kalojë në protesta”. Takimi, i cili ka zgjatur për më shumë se tre orë, është shoqëruar edhe me debate të nxehta e diskutime të forta mes anëtarëve socialistë, të cilët ishin ndarë në dy grupe, në atë të Ramës dhe atë të Lakrorit. Duke bërë njëkohësisht edhe analizën e zgjedhjeve të 28 qershorit, Edi Rama ka deklaruar se “Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet në Berat, por grupet kriminale të nxjerra nga burgu nga Sali Berisha i vodhën votat e socialistëve në këtë qark”. Ai akuzoi për vjedhjen e votave të socialistëve në qarkun e Beratit të gjithë kryetarët e komunave të PD-së dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, të cilët kanë kërcënuar punonjësit e tyre me heqje nga puna, në rast se nuk votonin djathtas, duke iu deklaruar se votat e tyre do të jenë të filmuara. “Partia Socialiste nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë asnjëherë pazare me PD-në, pasi PS-ja nuk mund të shitet siç veproi Ilir Meta, për të mbrojtur interesat e tij personale”, tha Rama. Kreu i PS-së në detyrë nuk i ka kursyer dhe akuzat ndaj kryeministrit, duke deklaruar se “Sali Berisha është një familje pinjollësh, që ka gjunjëzuar Shqipërinë, por ne nuk do të lejojmë që ndotja e madhe që ka goditur Shqipërinë të prekë edhe mushkëritë e fëmijëve tanë. Nuk duhet dhe nuk do të lejojmë që Shqipëria të ngelet në duart e Berishës, Metës e Nanos, të cilët për interesat e tyre personale shesin edhe interesat kombëtare”.
Rivali i tij për postin e kryetarit të PS-së, Maqo Lakrori, është shprehur për se “qëllimi i tij kryesor, pas marrjes së karriges së kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është pjesëmarrja në Parlament e deputetëve socialist, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të luftuar maxhorancën”. Lakrori ka pohuar se në Partinë Socialiste të gjithë i bëjnë fresk prej vitesh kryetarit të tyre, pa pasur mundësinë të debatojnë dhe t’u dëgjohet zëri. Sipas Lakrorit, platforma e tij elektorale është më e kompletuar se ajo e Ramës, dhe kjo platformë do të përqafohet nga socialistët në të gjithë vendin. Lakrori ka dëshmuar se ai është pro grupimit socialist për të marrë pjesë në Parlamentin shqiptar, duke penguar në këtë mënyrë vendimmarrjet e maxhorancës.
Pas Beratit, dy kandidatët Rama dhe Lakrori kanë zhvilluar përballjen e tyre në qytetin e Fierit. Kryetari në detyrë në PS, dhe në këtë takim ka vazhduar t’i mëshojë idesë për bojkotin në Parlament, një lëvizje kjo e mbështetur si nga deputetët e Partisë Socialiste, ashtu edhe nga anëtarët e kësaj force politike në bazë. “Partia Socialiste duhet t’i rezistojë e duhet të vazhdojë t’i kundërvihet kësaj qeverie, e cila sipas tij është kthyer në një strehë njerëzish të kërkuar, si nga drejtësia, ashtu edhe nga populli, duke shmangur edhe kontratën që kanë bërë me këtë të fundit”, Rama. Ndërkohë Maqo Lakrori, gjatë shpalosjes së platformës së tij është shprehur se “demokracia brenda së majtës është një faktor shumë i rëndësishëm, e ndërsa kjo demokraci dilte gjithnjë e më shumë në pah nga vlerat e individit, të cilat janë bazë për të bërë karrierë në Partinë Socialiste”.                 D.XH/M.R

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›