E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhurata Lazo: Në Francë me Tonin Harapin

21/04/2011  Do të donte që këtë herë më shumë se çdo gjë të fliste për muzikën shqiptare. Këtë vuri në pah pianistja e njohur Dhurata Lazo, ndërsa vërente se nuk donte të përsëriste gjëra të thëna e të njohura tashmë për të, por diçka që me të vërtetë ia vlen të thuhet. Jo më kot edhe muzika shqiptare nuk i ndahet thuajse asnjëherë programit të koncerteve të saj në skenat e botës. Edhe këtë herë, në koncertet e radhës, në Gjermani dhe në Francë, tingujt shqiptarë nuk i munguan…

Edhe kthimi i saj i fundit në Tiranë vetëm disa muaj më parë do të lidhej po ashtu me muzikën shqiptare. Në koncertin e saj ajo luajti Koncertin e Prof. Çesk Zadesë për piano dhe orkestër.

Jeni mes dy koncerteve jo me pak peshë në aktivitetin tuaj, një në Gjermani dhe tjetri në Francë. ǒmund të thoni për këto dy koncerte dhe programin e tyre?

Po, jam mes dy koncerteve në Gjermani e Francë. Në Gjermani ishte një projekt mbi 200-vjetorin e lindjes së Chopenit në tre koncerte ku luajta mrekullitë mahnitëse të këtij kompozitori gjenial. Interesante ishte dhe pjesa e dytë e koncerteve ku u përshkrua jeta e kompozitorit nëpërmjet poezive dhe shoqërova Liede e tij të shkruara për ‘voice’ e piano. Koncerti tjetër, menjëherë pas një jave do të jetë në Francë me programin tjetër. Në pjesën e parë do të luaj duo me bashkëshortin tim Zija “Bushi” Bejleri me sax soprano dhe sax alto pjesë nga kompozitorët Hajden, Hendel, Savarie e Sigelee, dy të fundit kompozitorë francezë romantikë, kurse unë do të luaj në pjesën e dytë solo gjithë miniaturat e kompozitorit tonë të famshëm Tonin Harapi dhe sigurisht në program kam dhe Chopen (të preferuarin tim).

Muzika shqiptare është ndër më të dashurat e repertorit tuaj. Pse kjo dëshirë e madhe për të interpretuar me këtë muzikë në skenat botërore (përveç faktit që jeni shqiptare) dhe a mendoni se në fakt muzika jonë është në atë nivel për të qenë e denjë në prezantime ndërkombëtare?

Është e vërtetë që muzika shqiptare është një ndër më të dashurat dhe nuk më mungon kurrë në programet e koncerteve të mija. Jam e ushqyer që e vogël me shumë dashuri për këtë muzikë. Më kujtohet që në saxhon e parë kur kam qenë 6 vjeçe kam luajtur dy pjesë të vogla të kompozuara nga prof. Tonini: Valle dhe Trëndafili i kuq. Më pas dhe lidhja ime me këta kompozitorë shumë të aftë dhe të mëdhenj ma shtoi më shumë këtë dashuri dhe besoj se rol kryesor kishin edhe programet e shkollës së pianos ku pjesët e kompozitorëve tanë të shquar si: Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi, Kozma Lara, Pëllumb Vorpsi, Limoz Dizdari, Albert Paparisto i madhi, Tish Daija etj. Muzika jonë është shumë e denjë për ta prezantuar kudo dhe në fakt është pritur shumë mirë dhe me shumë interes, një muzikë e bukur e mbështetur në folklorin tonë me ritme të larmishme.

Po për muzikën shqiptare të krijuar vitet e fundit ç’mund të thoni? Duket sikur pak krijohet dhe nuk guxohet me vepra skenike dhe koncertale “tonat”. Pse ndodh sipas jush kjo?

Jam larguar nga atdheu në shtator 1990 dhe për herë të parë jam kthyer në 2008. Për këtë falënderoj shumë një mikun tonë, që kishte studiuar në konservator me ne, Kasëm Bako, i cili e bëri fakt këtë kthim për një recital në Akademinë e Arteve. Kështu, nuk kam shumë informacion në këtë fushë, për këtë periudhë. Po tregoj diçka për kohën e atëhershme. Në kohën tonë, domethënë përpara viteve 1990, kishte shumë mënyra për të promovuar krijimet e kompozitorëve tanë. Dekadat e majit ishte një eveniment shumë i rëndësishëm me një ritëm shumë të fortë dhe kompetitiv dhe sigurisht konkurrenca, prezantimi dhe promovimi ishin faktorë që të kompozohej më shumë dhe me shumë fantazi edhe pse kishte dhe kjo “hallet e veta” mendoj, pasi artistët ishin të detyruar të kompozonin deri në njëfarë pike pa shkelur rregullat e realizmit socialist.

Sa i ndiqni aktivitetet e kolegëve tuaj shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë? Mendoni se në skenën muzikore shqiptare ekziston klima dhe marrëdhëniet e duhura mes artistëve për krijimtari?

I ndjek me shumë interes sipas mundësive dhe rastit. Jam shumë e lumtur që Shqipëria ka shumë artistë profesionistë që jetojnë aty dhe jashtë kufijve të vendit. Më mbushet zemra kur dëgjoj për rezultatet e miqve të mi artistë dhe ndjehem shumë krenare kur i prezantoj ata tek miqtë e mi të huaj artistë. Mund të tregoj diçka mbi një raport të mrekullueshëm me shumë afeksion që kam për stafin e orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar. Për dëshirën e tyre për të luajtur me mua me shumë art e profesionalizëm. Kur u largova nga atdheu për një farë kohe jetova me këtë kujtim shumë të bukur. Më shumë nuk di sepse është shumë e vështirë të kuptosh gjithë jetën artistike në Shqipëri me vizitat e mia shumë të shkurtra.

Një ndër kompozitorët tuaj më të preferuar është Çesk Zadeja. Pse kjo lidhje “e veçantë” me të? Si jeni njohur me Zadenë dhe mund të vendosni paralele mes tij dhe Shopenit, duke qenë se edhe ky i fundit është i preferuari juaj?

Është e vërtetë që profesor Çesku është një ndër të preferuarit e mi sepse bën pjesë në jetën time artistike qysh kur isha studente dhe kjo ka historinë e vet. Zysha ime e pianos, Nikoleta Nako, e cila ka luajtur për herë të parë në dekadën e majit në 1968 koncertin e profesorit për piano e orkestër, ma vendosi këtë koncert në programin e saxhos në vitin e dytë të Liceut. Po atë vit u propozova nga katedra e pianos që ta luaja në Dekadën e Majit e koreografuar për studentët e Shkollës së Baletit. Ishte një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe më vonë po me orkestrën e Liceut Artistik “Jordan Misja” e kam luajtur në diplomën e dirigjentit Artan Liçaj në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe pikërisht në këto momente filloi një miqësi shumë e pastër dhe me plot dashuri ndërmjet profesorit dhe meje. Më 1989-n më dedikoi ciklin e tij me pesë pjesë për piano dhe ndjehem mirë dhe shumë krenare ta kem pasur atë privilegj të madh. Por kam njohur nga afër edhe profesor Tonin dhe të madhin Feim Ibrahimi, Tokatën e famshme të të cilit e kam luajtur vazhdimisht dhe vazhdojnë e luajnë edhe sot edhe studentët e mi. Është një vlerë….

Ndërkohë që pianoja është një nga dashuritë tuaja më të mëdha, keni tentuar ndonjëherë qoftë edhe për dëshirë vetjake të kompozoni diçka, sado të vogël?

Jo, nuk kam tentuar kurrë. Më pëlqen të luaj dhe të interpretoj veprat e të tjerëve. Mbase në një të ardhme nuk i dihet…

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›