Çmimi i naftës, Autoriteti i Konkurrencës ballafaqohet me grosistët
Ervin Koçi
Raporti hetimor mbi tregun oligopol të karburanteve në vendin tonë, i hartuar nga Autoriteti i Konkurrencës, ka ballafaquar dje këtë institucion rregullator me përfaqësuesit e kompanive më të mëdha të hidrokarbureve në vend. Seanca dëgjimore me operatorët privatë të tregut të karburanteve është zhvilluar me dyer të mbyllura, por në të është diskutuar mbi abuzimet e konstatuara në hetimin e thelluar mbi këtë treg. Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se grosistët e karburanteve bëjnë marrëveshje me tregtarët e pakicës për të fiksuar çmime të larta që rëndojnë mbi të gjithë konsumatorët dhe më direkt mbi drejtuesit e mjeteve. Në kuadër të këtij diskutimi, Autoriteti i Konkurrencës do të zhvillojë disa seanca dëgjimore me kompanitë importuese të karburanteve, proces ky që pritet të përfundojë brenda janarit 2009. Nga burime pranë Autoritetit mësohet se, “seancat dëgjimore do të zhvillohen me 8 operatorët më të rëndësishëm të këtij tregu dhe pasi të dëgjohen edhe argumentet e tyre Autoriteti i Konkurrencës nuk do të marrë vendimet përkatëse. Në rast se konstatohet shkelje e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, ndaj kompanive do të aplikohen gjoba që shkojnë deri në 10 për qind të xhiros vjetore.
Përgjigjja e grosistëve
Pavarësisht pretendimeve të Autoritetit të Konkurrencës, duket se kompanitë grosiste të hidrokarbureve i kanë paramenduar mirë lëvizjet që do të bëjnë për të shtuar presionin ndaj shtetit. Ata janë të vendosur që të mos “lëshojnë pe” kur bëhet fjalë për ulje të çmimit të karburantit ose për mbajtjen e tij sipas lëvizjeve në bursa. Nisur nga kjo “luftë e heshtur” që ata po bëjnë me shtetin, Shqipëria rrezikon të paralizohet nga një grevë e përgjithshme e tregtarëve të karburantit, menjëherë pas Vitit të Ri. Janë 10 kompani lider në fushën e tregtimit të hidrokarbureve në vendin tonë, që i janë drejtuar zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, duke u kërkuar rishikimin e zbatimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave të korrikut 2008. Kërcënimi i tyre ka nisur të bëhet serioz dhe në rast se refuzimi për të dëgjuar zërin e tyre do të jetë i plotë dhe këmbëngulës, subjektet pritet të shpallin grevë, duke mbyllur aktivitetin e tregtimit në pikat e shitjes së karburantit me shumicë e pakicë.
Kushtet ndaj shtetit
Të grupuar në Shoqatën e Hidrokarbureve, ata kërkojnë që të mos bëhen diferencime midis naftës “D2” të prodhuar në vend, me atë të sjellë nga importi. Sipas tyre, vendimi i mëparshëm i datës 21 mars 2007 respekton standardet e BE-së dhe detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Ndërsa VKM-ja nr. 1110, datë 30.07.2008, “Për cilësinë e lëndës djegëse ‘diesel’, të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto vendase”, gjithnjë sipas tyre, është një vendim që prish rregullat e tregut për të gjithë operatorët vendas, krijon pabarazi dhe konkurrencë të pandershme dhe çon në falimentimin gradual të kompanive në fjalë. Në letrën dërguar kryeministrit, grosistët e naftës theksojnë se “subjektet shqiptare dhe ato të huaja kanë investuar kapital të konsiderueshëm në tregun e importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, duke filluar nga viti 1992 e në vazhdim. Këto subjekte kontribuojnë në buxhetin e shtetit shqiptar për çdo vit jo më pak se 70 deri në 260 milionë euro. Ato kanë investuar në asete të deklaruara rregullisht (depozita e kapacitete të tjera), mbi 200 milionë euro, si dhe kanë punësuar një numër të konsiderueshëm punonjësish e specialistësh, duke plotësuar aktualisht deri në 77 për qind të nevojave të konsumit të brendshëm për karburante”. Sipas tyre, vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave dëmton këto investime kolosale të bëra prej tyre dhe i çon subjektet drejt një falimentimi gradual.
Propozimi
Subjektet private nuk janë të shqetësuara për ndalimin total të përdorimit të “D2”-shit në tregun shqiptar. Ato janë shprehur dakord me aplikimin e VKM-së së marsit 2007, që parashikon 31 dhjetorin 2008 si datën e “nxjerrjes në pension” të naftës jocilësore në Shqipëri. Ata kërkojnë që në rast se do të ndalohet përdorimi i “D2”-shit të importit, duhet, në të njëjtën kohë të ndalohet edhe “D2”-shi i vendit. Ose, në të kundërt, qeveria, me një akt rirregullues, të bëjë shtyrjen e afatit për një periudhë tjetër 1-vjeçare, edhe për përdorimin e naftës me përmbajtje të lartë squfuri, që ata e blejnë jashtë vendit. Kjo, sipas tyre, “do të sillte barazi në treg, siç parashikohet në marrëveshjet e nënshkruara tashmë nga shteti shqiptar”. Si Berishës, ashtu edhe Rulit, subjektet i kanë kërkuar takim, gjë që duket se nuk është marrë ende parasysh.
27 Dhjetor 2008